Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur intervistimin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Kryeprokurorja aktuale e përkohshme, Arta Marku ka deklaruar se këto dy vite ka punuar në një terren të vështirë, për shkak edhe të mungesës së hallkave në sistemin e drejtësisë.

Arta Marku: Ka qenë një periudhë jo e lehtë, pasi i gjithë sistemi ishte në reformim të thellë. Edhe sot mungon Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Vitin e parë të punës nuk ka pasur as Këshill të Lartë Prokurorie. Pra ka qenë një terren aspak i lehtë për të punuar. Nuk mund të mendosh të kesh rezultate të dukshme nëse mungojnë disa nga hallkat e sistemit dhe me kompetenca siç dihet mjaft të kufizuara.

Ja pritshmëritë që nuk i kam realizuar

Arta Marku:  Ka qenë një periudhë e vështirë për shkak të reformës në zhvillime  sipër, për shkak të mungesës së institucioneve kushtetuese. Pritshmëritë e publikut kanë qenë të larta.

Për shkak të kompetencave të kufizuara unë nuk kam arritur të realizoj pritshmëritë, sepse hetimi është jashtë kompetencave të prokurorit të përgjithshëm.

Askush nuk është kujdesur që të sqarojë se roli i prokurorit ka ndryshuar dhe nuk është më prokurori i plotfuqishëm, është një prokuror me një rol simbolik dhe një rol të munguar në hetimin e çështjeve konkrete. Këtu nuk i kam realizuar pritshmëritë, por jo për shkak të vullnetit dhe aftësisë time, port për shkak të reformës dhe kompetencave.

Prioritetet e Arta Markut

1-Fuqizim i drejtorisë gjyqësore në prokurorinë e përgjithshme pasi aty do jetë puna më e madhe pas funksionimit të dy gjykatave, kushtetuese dhe e lartë. Për të bërë të mundur një punë të suksesshme duhet shtuar numri i prokurorëve në prokurorinë e përgjithshme.

2-Forcimi i sektorit të dekriminalizimit që funksionin me 1 prokuror dhe dy oficerë të policisë gjyqësore.

3-Spastrimi i administratës nga personat me probleme, një kompetencë që prokurori i përgjithshëm e ka me ligj

4-Do rregullohen me udhëzime të përgjithshme fushat e pambuluara

5-Mendoj që të realizoj një udhëzim për veprimtarinë e policisë gjyqësore

6-Do ketë forcim të etikës në administratë. Kjo nxit besimin e publikut.

7-Prioritet edhe trajnimet e policisë gjyqësore dhe administratës

Në garë 3 kandidatë

Në garë janë Prokurorja e përkohshme që ka dy vite në detyrë Arta Marku, Prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj dhe Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela, të cilët janë zyrtarisht nga KLP si kandidatë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Një ditë më parë Këshilli miratoi metodologjinë që do të përdorin anëtarët për të pikëzuar kandidatët.


/Ora News.tv/