Klosit ja fikin dritat ndërsa paralajmëronte gjoba për qeset plastike, i pranishëm dhe Soreca

Klosit ja fikin dritat ndërsa paralajmëronte gjoba për qeset

Brenda qershorit të vitit të ardhshëm në Shqipëri do të ndalet përdorimi i qeseve plastike, qoftë dhe prej konsumatorëve. Inspektorët e mjedisit tashmë kanë zbritur në terren me këshillime duke vijuar më pas edhe me gjoba. Prezantimi në prani të delegacionit të BE është shoqëruar dhe me incidente, ku për tre herë kanë ikur dritat.

Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit do të nisin kontrolle në të gjithë territorin për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike qoftë nga tregtarët, por edhe nga konsumatorët.

Ministri Blendi Klosi në prezantimin e projektit në Muzeun e Shkencave të Natyrës Sabiha Kazimati, ku prezent ishte dhe ambasadori i BE në Tiranë theksoi se fillimisht do të nisë një operacion sensibilizimi, e më pas do të veprohet me ndëshkime.

Klosi: Në 22 nëntor ju ftojmë të gjithëve të fillojmë një fushatë të madhe pastrimi në Shqipëri me pushtetin qëndror dhe lokal, të gjithë institucionet nën drejtimin e prefektëve. Kudo në Shqipëri do të ketë një operacion të madh pastrimi, jo një fushatë pastrimi. Operacioni do të shtrihet deri në 1 qershor 2020.

Aambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, në fjalën e tij theksoi se Shqipëria duhet ti bashkohet nismave evropiane për mbrojtjen e mjedisit.

Soreca: BE ka përshtatur rregulla të reja për të nxjerrë jashtë përdorimit objektet plastike njëpërdorimshme nga viti 2021  dhe shqiptarët duhet të përfitojnë nga i njëjti nivel i mbrojtjes së mjedisit. BE është duke punuar me shtetet anëtare që përmirësojnë jetën e përditshme për shqiptarët sepse ata e meritojnë dhe sepse kjo e sjell Shqipërinë më afër standardeve europiane.

Shqipëria nuk ka probleme vetëm me ruajtjen e mjedisit. Shkëputjet e shpeshta të energjisë janë vënë re dhe në këtë takim.

Dritat kanë ikur dhe në momentin kur fjalën po e mbante Klosi. E njëjta situatë është përsëritur edhe në dy folës të tjerë.

Pavarësisht reshjeve të dendura të këtyre ditëve, duke sjellë rritjen e prurjeve në Hidrocentrale, Ministria e Energjisë nuk ka arritur të menaxhojë si duhet situatën.

 

 

EMISIONET