Ekspozita e veçantë e Eduard Lear, i cili në pikturat e tij paraqet një Shqipëri evropiane, është një tjetër atraksion që i shtohet Tiranës. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka vlerësuar riprodhimet e piktorit anglez që udhëtoi nga veriu në jug të vendit në shekullin e 19-të. Madje vendet që ai ka udhëtuar do t’u sugjerohen turistëve që do të vizitojnë vendin.

Blendi Klosi:  “Kemi ndërtuar tashmë një itinerar të ri turistik për vendin tonë se ku ka pikturuar Edward  Lear, ku ka qëndruar dhe për ta ofruar si paketë turistike edhe te turistët që vijnë sot, nga e gjithë bota”. Të realizojmë një vepër të hapur publike që turistët dhe shqiptarët të sodisin veprën e vjetër por të gjykojnë edhe mbi realitetin e ri.” - tha ministri Klosi.

Për Klosin momentet që ka sjellë Lear flasin për evropianizimin e shqipërisë edhe 200 vite më parë

Blendi Klosi:  “Në debatin e madh të Shqipërisë europiane të evidentojmë pas shekujsh momentet europiane të Shqipërisë. Edward  Lear ka qenë një piktor europian i cili vizitoi Shqipërinë dhe nëpërmjet teknikës dhe peisazhit të asaj kohe, ka fiksuar shenja të europianizmit shqiptar të rreth 200 viteve më parë, të një jete normale dhe një komuniteti që bëjmë shumë mirë që ta rivitalizojmë”

Ekspozita ofron riprodhimet e punimeve origjinale të Edward  Lear dhe punët më të mira nga 500 pikturat shqiptare të realizuara mbi tablotë e lëna nga piktori dhe shkrimtari anglez.

 Kujtim Buza: “Edward  Lear pushtoi zemrat e intelektualëve dhe artistëve me penel dhe ende na mban fort me artin e tij” – tha  piktori Kujtim Buza, një prej 100 piktorëve bashkëkohorë shqiptarë që u përfshinë në koloninë e piktorëve të peisazhit “Në gjurmët e Edward  Lear”.

Deri më sot falë projektit të Institutit të Librit dhe  Promocionit  janë vendosur 15 tabela informuese turistiko-kulturore në vende të ndarë në të gjithë shqipërinë. Guida turistiko- kulturore në dy gjuhë tashmë është në dispozicion të udhërrëfyesve turistikë.

/Ora News.tv/