Kinë tregon shkakun e përhapjes së pneumonisë, koronavirusi është nën kontroll

Kinë tregon shkakun e përhapjes së pneumonisë, koronavirusi

Ekspertët e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të Higjienës të Kinës bënë të ditur në një konferencë shtypi se përhapja e epidemisë së penumonisë së shkaktuar nga një lloj i ri koronavirusi është nën kontroll dhe është e parandalueshme. 

Mirëpo, meqë ende nuk është gjendur burimi i virusit dhe nuk dihet plotësisht mënyra e përhapjes së tij, duhet të ruhet vigjilenca për të përballuar mundësinë e ndryshimit të virusit.

Sipas Komisionit, fill pasi ndodhën rastet e pneumonisë së koronavirusit në Wuhan të Kinës Qendrore, grupet e punës dhe të ekspertëve u dërguan në vendngjarje për të bërë testimin laboratorik të mostrave të marra. Më 1 janar, u konfirmua se një lloj i ri koronavirusi është arsyeja e epidemisë së tanishme.

Në të njëjtën kohë, mënyrat e mjekimit, parandalimit dhe kontrollit të epidemisë u njoftuan në të gjitha krahinat e vendit dhe është shpërndarë një kontingjent i madh pajisjesh për testimin e virusit, duke u krijuar edhe sistemi i raportimit ditor.

Përveç kësaj, autoritetet kineze kanë forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit me OBSh-në e vende të ndryshme të botës dhe i kanë bërë menjëherë të ditur OBSh-së renditjen gjenetike të koronavirusit.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe i Higjienës do të forcojë më tej parandalimin e përhapjes së epidemisë dhe mjekimin e të prekurve. Ekspertët do të shpejtojnë gjurmimin fillestar të virusit dhe do të bëjnë përgatitje për të përballuar situatat e mundshme.

Siç mësohet, deri më 19 janar, në qytetin Wuhan, vend ku u raportua rasti i parë i epidemisë, janë konfirmuar 198 të sëmurë, 25 prej të cilëve janë shëruar, tre kanë vdekur, ndërsa 170 të tjerë po shtrohen në spital

/Marre nga CRI/ 

EMISIONET