Kinë, norma për modifikimin gjenetik

Kinë, norma për modifikimin gjenetik

Kina po i paraprin zhvillimeve në mjekësi duke normëzuar në Kodin e vet Civil rregulla të reja për shkencëtarët që manipulojnë kodin gjenetik të njeriut. Ata do të mbahen përgjegjës nëse sjellin pasoja në shëndetin e subjekteve po shkelin normat etiko-morale.

Kina pritet të vendosë vija të kuqe për shkencëtarët që manipulojnë gjenet e njeriut dhe të embrioneve, duke i ngarkuar ata me përgjegjësi nëse provohet se kanë shkelur të drejtat themelore të subjekteve.

Me rregullat e reja, studiuesit do të përgjigjen penalisht kur eksperimentet rezultojnë me pasoja për personat.

Ndryshimet do të jenë pjesë e Kodit Civil kinez në seksionin e të drejtave të individit për mirëqenie, liri, privatësi dhe dinjitet, krahas atyre për rregullat e martesave apo trashëgimisë.

Sipas Pan Xhiesë, gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Kinës, ndryshimet normëzojnë çfarë lejohet për fushën e biomjekësisë dhe çfarë duhet evituar.

"Aktivitetet mjekësore dhe studimore duhet të respektojnë ligjin, dekretet administrative dhe rregullat, por këto aktivitete nuk duhet të dëmtojnë shëndetin e njerëzve, të shkelin standardet etiko-morale dhe të dëmtojnë interesat publike."

Normat e reja u futën në projekt-Kodin Civil kinez muajin e kaluar, të nxitura nga skandali i shkencëtarit vendës, He Xhiankui, i cili në vitin 2018 pretendoi se kishte kryer eksperimente te embrionet njerëzore, duke krijuar për herë të parë në botë vajza binjake me material gjenetik të modifikuar për t'u mbrojtur ndaj virusit HIV/AIDS.

Eksperimentet u kritikuan nga autoritetet e shtetit dhe ato ndërkombëtare, ndërsa studiuesi Xhiankui në janar u largua edhe nga puna në universitet.

Tashmë, shkencëtarët do duhet të marrin miratim para se të bëjnë ndërhyrje gjenetike te njerëzit.

"Shekulli i 21-të është epoka e bioteknologjisë. Nëse teknologjia përdoret mirë, do të promovojë zhvillimin e shkencës dhe të drejtat dhe përfitimet e njerëzimit. Prandaj aktiviteti duhet standardizuar."

Kodi i ri Civil është në fazën e diskutimeve dhe pritet të miratohet vitin e ardhshëm nga Kongresi Popullor.

Kina konsiderohet një nga vendet me teknologjinë më të avancuar në botë në biomjekësi.

EMISIONET