Kina nxjerr nga varfëria 740 milion njerëz

Kina nxjerr nga varfëria 740 milion njerëz

Kina ka nxjerrë nga varfëria 740 milionë njerëz në zonat rurale që nga viti 1978 deri në 2017, afërsisht 19 milion çdo vit. Shifrat janë bërë publike nga Byroja Kombëtare e Statistikave.

Agjencia e lajmeve Xinhua thotë se raporti i varfërisë në zonat rurale është ulur me 94.4 pikë përqindje gjatë kësaj periudhe, me një rënie mesatare vjetore prej 2.4 pikë përqindje.

Të dhënat e Byrosë Kombëtare të Statistikave tregojnë se arritjet e Kinës për të eliminuar varfërinë kanë kontribuar edhe në uljen e varfërisë në rang global.

Të ardhurat mesatare vjetore për banor në zonat rurale u rritën mesatarisht 10.4 % në vit nga 2012 deri në 2017.

Gjatë pesë viteve të fundit, mbi 68 milionë njerëz u hoqën nga varfëria, ndërsa synohet të hiqen më tej 10 milion të tjerë këtë vit.

Kohët e fundit Kina ka lëshuar udhëzime për të fituar betejën kundër varfërisë në tre vitet e ardhshme.

Sipas udhëzimeve, njerëzve të varfër duhet t'u garantohet ushqimi dhe veshja, dhe fëmijëve nga familjet e varfra duhet të garantohet një arsim nëntë vjeçar i detyrueshëm. Gjithashtu duhet të garantohen nevojat themelore mjekësore dhe kushtet e jetesës së të varfërve.

Njerëzit me të ardhura vjetore më të ulëta se 2.300 juanë (337.3 dollarë amerikanë) janë përkufizuar se jetojnë nën kufirin e varfërisë në Kinë.

EMISIONET