Shkollat hapen në Pekin e Shangai, në klasa u kthyen nxënësit që do të japin provime

Shkollat hapen në Pekin e Shangai, në klasa u kthyen

Në dy metropolet e Kinës, Pekin dhe Shangai, nxënësit që do të japin provimet përfundimtare u lejuan të kthehen në klasa. Ata kishin vende të përcaktuara dhe të gjithë me maska. Pavarësisht organizimit, prindërit mbeten të shqetësuar pasi në të dy qytetet ka shtim të rasteve të importuara me Covid-19.

Shkollat fillore dhe ato të mesme u hapën në Shangai dhe në Pekin të hënën, pas tre muajsh të mbyllura si pasojë e shpërthimit të koronavirusit.

Në Shangai, nxënësit qëndruan në radhë jashtë shkollave dhe me maska duke ruajtur distancën fizike. Ata gjithashtu duhet të kalonin përmes një termometri termik përpara se t’u drejtoheshin klasave sërish. Pavarësisht se qyteti nuk ka raportuar raste të reja infektimesh prej disa ditësh, prindërit janë sërish të frikësuar në lidhje me ndryshimet.

"Jam i shqetësuar për zhvillimin e pandemisë tani që shkolla rifilloi, asgjë tjetër. Mbi të gjitha këta janë fëmijë dhe nuk dinë shumë për higjienën. Ju duhet trajnim nga mësuesit," thotë Sun Zhiping, një baba pasi solli në shkollë fëmijën e tij.

Në Pekin, prindi Sha Li u shpreh e kënaqur me masat e marra, ulëset e përcaktuara dhe ndarëset plastike.

"Mësuesit janë përgatitur prej dy javësh. Kjo është shumë më tepër se çdo pritshmëri nga prindërit," tha ajo. Kryesisht në klasa u lejuan nxënësit që duhet të japin provimet e përfundimtare dhe ato hyrjes për në universitete, ndërsa shumica e shkollave të tjera të Pekinit vijojnë të jenë të mbyllura.

Shkollat në Shangai janë mbyllur që na mesi i janarit, ndërsa pushimet dimërore u zgjatën përtej afatit dhe shumica e klasave kanë kaluar on line.

Sipas Komisionit të Arsimit të Shangait, shkollat do të vijojnë të zhvillojnë përgatitje për t’u hapur deri para 6 majit. Në Shangai problem vijon të jenë rastet e importuara me koronavirus, plot 303 të tilla deri të dielën e 26 prillit.

EMISIONET