Ambasadorja e ShBA në vendin tonë  Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca kanë përshëndetur vendimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore.

Diplomatja amerikane kishte edhe një mesazh për udhëheqësit e tjerë politike, Soreca tha se është kontribut për të plotësuar një nga kushtet e BE të vendosura në mars.

"Ne mirëpresim vendimin e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore. Ne presim të shohim edhe liderët e tjerë të shfaqin udhëheqësi të ngjashme", shkruan në twitter, ambasadorja Kim.

"Kjo i shërben interesit më të lartë të Shqipërisë dhe kontribuon në përfundimin pa vonesa të reformës, në mënyrë që të përmbushet kushti i vendosur në mars", shkruan Soreca.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e përshëndet  kthimin e opozitës në tryezën e reformës.

"Kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore një kthesë për t'u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus", shkruan Rama.

Në një prononcim për gazetarët kreu i opozitës u shpreh se Rama po pengon reformën zgjedhore dhe integrimin evropian të vendit.

Basha shtoi se tryeza e reformës zgjedhore nuk është braktisur, por është bojkotuar vetëm në datë 18 pasi po dhunoheshin qytetarët dhe aktivistët.

/Ora News.tv/