Kongresi i Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës ka vendosur të mos sjellë vëzhgues për zgjedhjet lokale në Shqipëri. anulimi ka ardhur vetëm pak ditë para votimeve që do të mbahen pasi mazhoranca vendosi të mos njohë dekretin e presidentit për 30 qershorin.

Kongresi njoftoi fillimisht vendimin të cilin e bazon tek pasiguria që sipas tij ekziston në Shqipëri në lidhje me pjesëmarrjen e plotë të spektrit politik të kandidatëve dhe partive në zgjedhjet lokale më 30 qershor 2019.

Ndërsa në një deklaratë të dytë, pasditen e së mërkurës, e cila çuditërisht u fshi nga faqja pak minuta pas publikimit, Kongresi sqaronte se nuk vëzhgon kurrë zgjedhje pa praninë e opozitës

"Misionet e Kongresit bazohen në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale me pjesëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike të një vendi, dhe kështu Kongresi asnjëherë nuk ka vëzhguar zgjedhje pa pjesëmarrjen kuptimplotë të opozitës".

Nga ana e tij kongresi i autoriteteve rajonale e lokale ndërsa shprehet se në 31  nga 61 bashkitë e vendit nuk ka garë mes kandidatëve  shmang deklaratat për ligjshmërinë e zgjedhjeve

"Vendimi i Kongresit është marrë në konsideratë të të gjithë informacioneve të disponueshme për ne, si në lidhje me situatën politike dhe logjistike. Kongresi nuk bën asnjë deklaratë këtu për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë fare me pyetjen nëse dhe kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Ky është vendim autonom vetëm i Shqipërisë"

Ndërkaq mazhoranca tha se Këshilli i Evropës do të ketë vëzhguesit e tij të dielën më 30 qershor, pavarësisht kësaj deklarate.


/Ora News.tv/