Në klinikat dentare të Francës, izolimi prej pandemisë ka nxjerrë në pah pasojat në shëndetin dentar me të cilin përballen banorët. Shtrëngimi dhe kërcitja e dhëmbëve janë vetëm disa nga simptomat e stresit dhe ankthit të shtuar këta muaj.

Stresi dhe ankthi nga izolimi i gjatë për shkak të koronavirusit ka shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë trajtim në klinikat dentare.

Dhembjet e nofullave nga shtrëngimi apo kërcitja e tepruar e dhëmbëve janë disa nga simptomat e shpeshta që po vërejnë dentistët francezë.

Këtë javë në vend u lejua rihapja e klinikave pas gati 2 muajve pushim, me rregulla të reja të higjienës, mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme, janë hequr nga ambientet broshurat dhe revistat informative, ndërsa klientëve u kërkohet të bëjnë rezervim për të shmangur pritjet brenda klinikës.

Kristof Vej është një nga kirurgët dentarë francezë që thotë se ka mbajtur kontakt dhe ka konsultuar pacientët e tij gjatë qëndrimit në shtëpi.

"Goja është organ ku gjen shumë shenja të stresit. Kam marrë telefonata nga njerëzit jo vetëm për patologji, si kavitetet apo infeksionet, por për probleme që me ankthin, për dhembje dhe tendosje të nofullave."

Sipas doktorit, ka edhe qytetarë që po i druhen vizitave te dentisti nga frika e infeksionit, duke zhvilluar në këtë periudhë sëmundje apo infeksione që nuk ndesheshin prej kohësh në praktikat klinike.

Problem tjetër për dentistët mbetet edhe sasia e pakët e mjeteve mbrojtëse kundër koronavirusit.

"Kapelat, maska por edhe dorezat po mbarojnë pasi ka kërkesë të lartë. Shumica e këtyre produkteve na vijnë nga Kina por importet nuk janë njësoj si dy muaj më parë. Situata ndërlikohet për ne dentistët," thotë kirurgu francez.

Në Francë kanë ndërruar jetë më shumë se 27 mijë persona nga pandemia e kovidit, dhe virusi është ende në qarkullim edhe pse vendi këtë javë vendosi të lehtësojë masat kufizuese prej tij.

/Ora News.tv/