Kërcënimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti prej organizatës Garda Vullnetare shqiptare, për ekspertët është më shumë një lojë politike.

Kjo për shkak të tensioneve që krijohen në shqyrtimin në gjykatën kushtetuese të mandatit që firmosi presidenti Thaçi për ti dhënë të drejtën Abdulla Hotit të formojë qeverinë e re.

Për ekspertin Nuredin Ibishi kjo organizatë deri më tani është e panjohur, por ai thekson se çështja duhet të hetohet me prioritet.

“Deri tani ka qenë një organizatë e panjohur. Nuk është e njohur në opinion dhe nga mediat.”

Ndërkaq, Drizan Shala shprehet se kjo po shfrytëzohet politikisht.

“Kjo është bërë për orientime politike, për të drejtuar opinionin e qytetarëve në raport me Gjykatën Kushtetuese për formimin e qeverisë Hoti.”

Vetë kryeministri në detyrë Albin Kurti kur e botoi këtë e-mail në faqen e tij të Facebook-ut shkroi se ky kërcënim nuk është ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të japë vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi lidhur me nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

/Ora News.tv/