Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një prononcim për emisionin “Tempora”, në RTV Ora u shpreh se në vendin tonë nuk ka vakuum ligjor.

Sa i përket togfjalëshit “KÇK”, i përdorur nga kryeministri Edi Rama, Manjani ngre dyshime se mos po u bëhet thirrje kriminelëve, që të largohen në avancë.

Në këtë mënyrë, Rama do kishte mundësi t’i thoshte ambasadorëve që e plotësuam një nga kushtet e Bundestagut. Por sipas Manjanit, Bungestagu nuk do këtë, por do t’i shohë ata në burg.

Ylli Manjani: Të gjithë liderët nga fundi fillojnë të degjenerojnë. Nuk kuptojnë më se ku janë, por përpiqen të gjejnë fajtorë dhe fajtori është ligji. Tani unë  po pyes. Cili ligj e ndalon Prokurorinë Shqiptare, që të fillojë çështjen penale ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që vettingu i ka nxjerrë me pasuri të pajustifikuara? Sepse kjo është tema që vjen edhe nga 9 kushtet e Bundestagut. E dini sa të dënojnë ligjet sot për këtë? Ligjet e sotme të harrojnë në burg.

Marjana Legisi: Nuk ka vakuum, mungesë të kuadrit ligjor? 

Ylli Manjani: Vetëm vakuum ligjor nuk ka ky vend. Në një Republikë Parlamentare, kryeministri nuk ka lidhje fare me këto punë. Fare, fare, zero lidhje. As fut njeri në burg, as nxjerr njeri nga burgu, as ka punë me drejtësinë dhe as ka punë me prokurorinë. Por fakti që kryeministri e merr përsipër këtë dhe ajo pako drejtësi i përgjigjet tregon se në çfarë shteti skandaloz, super monist jetojmë. Monist i pastër, se sa herë bërtet kryeministri Prokuroria reagon. Ky nuk është shtet. 

Këtë që thotë kryeministri "KÇK", seç këput ca kopaçe propagande. Unë shoh dy të këqija të tjera. E para është që mos ndoshta u bëhet thirrje kriminelëve, që të largohen në avancë?

Me këtë i thotë ambasadorëve ky që shkruani pak që qeveria e bëri detyrën e saj. Plotësoi njërën nga 9 kushtet e Bundestagut, fiktive komplet. Çdo gjë është fiktive, sepse Bundestagu nuk thotë këtë. Bundestagu thotë kur do ti shohim në burg.


/Ora News.tv/