Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konkluduar se përdorimi i kasave fiskale ka patur ndikim të dobët në rritjen e të ardhurave tatimore. Përmes një raporti për periudhën 2010 2018, KLSH bën me dije se edhe pesha mesatare e TVSH ka pësuar rënie me 6%.

Përdorimi i kasave fiskale nga ana e bizneseve nuk kanë patur ndikimin që pritej në rritjen e të ardhurave tatimore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport ku bën me dije se pavarësisht shumës prej 46 milion eurosh, të shpenzuara për blerjen e tyre nga vetë bizneset, sërisht nisma nuk ka sjellë përmirësim në të ardhurat tatimore nga TVSH e brendshme apo nga Tatimi i Fitimit.

Nismën e fundit të qeverisë për modernizimin e sistemit të monitorimit të taksave, KLSH e sheh si të rrezikshme, teksa thekson se disa nga risqet konsistojnë në koston e shtuar që do të kenë bizneset për zëvëndësimin e kasave por dhe në refuzimin e tyre.

Aksioni anti-informalitet i ndërmarrë nga qeveria, që parashikonte gjoba deri në mbylljen e aktiviteteve në rastet e mosdeklarimit të të ardhurave, KLSH e sheh si jo efektiv në uljen e evazionit apo në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Në raport thuhet se aksioni është përqëndruar më shumë në aspektin teknik të kasave dhe në rritjen e masave ndëshkimore për bizneset, por nuk ka sjellë përfitimin e pritshëm.

Madje KLSH konkludon se krahasuar me vitin 2009, në 8 vjeçarin e fundit vihet re një rënie prej 6% të peshës mesatare të TVSH të mbledhur nga tatimet.

Gjithashtu në raport, dilet në përfundimin se tre e katërta e kasave fiskale janë të vendosura në bizneset e vogla, ndërsa për periudhën 2017-2018, është rritur xhiroja e raportuar nga bizneset, por është ulur raportimi mesatar për kuponat e lëshuar.

Për këtët, KLSH thotë se nga institucionet nuk ka patur objektiva të qarta për përfitimin që duhet të sillte ky sistem si dhe nuk ka vendosur  detyra konkrete për menaxhimin dhe monitorimin e mbarëvajtjes së sistemit të kasave fiskale.

KLSH përfundon raportin duke theksuar se mungesa e një modeli të suksesshëm për reduktimin e evazionit fiskal, së bashku me zbatimin efektiv të përdorimit të kasave fiskale që është i përhapur dhe i dukshëm, do të vazhdojë të pengojë përmirësimet e ndjeshme në rritjen e të ardhurave edhe në të ardhmen.


/Ora News.tv/