Policia e Shtetit jep informacione për njërën nga ngarkesat me kanabis të kapur nga policia greke në kufirin shqiptaro-grek.

Policia thotë se finalizimi i operacionit të përbashkët mes Policisë Kufitare Sarandë, Policisë së Sarandës, Policisë  Kufitare të Igumenicës dhe Antidrogës çoi në arrestimin në flagrancë të transportuesit të 76 kg kanabis, një 24 vjeçar nga Saranda.

Policia arrestoi në Athinë edhe pritësin e lëndës narkotike, një 35 vjeçar nga  Delvina.

"Policia Kufitare e Igumenicës në bashkëpunim me Antdrogën, pas informacioneve të marra   nga Policia Kufitare e Sarandës,  se efektivët e Policisë Kufitare Sarandë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e  Krimeve  në Komisariatin e Policisë Sarandë   ishin vënë në ndjekje të disa personave që dyshohej se po transportonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit jeshil,  kanë organizuar punën ku kanë bërë të mundur  që në vendin e quajtur Koritiani Thesproti IGumenicë të ndalohet një mjet tip JEEP me targa IKH 4455 me drejtues shtetasin shqiptar A.M. 24 vjeç, lindur  në Sarandë dhe banues në Selanik " sqaron policia.

Nga kontrolli i bërë nga policia greke në automjet ju gjetën  rreth 73 kilogramë  dhe 840 gramë kanabis sativa si dhe rreth 2 kg dhe 30 gr çokollatë(Cannabis i përpunuar),  që dyshohet se e ka marrë në një rrugë  rurale në kufirin shqiptaro-grek nga personat që ishin në ndjekje nga Policia Kufitare e  Sarandës dhe Policia e Sarandës.

Në vijim te hetimeve  të përbashkëta, u bë e mundur që nga policia greke të arrestohej edhe pritësi I lëndës narkotike në Kipseli Athinë shtetasi shqiptar Xh. C, 35 vjeç lindur në Delvine dhe banues provizor ne Athinë.

Vijojnë hetimet e përbashkëta për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike, si dhe po punohet nga të dyja palët  për kapjen e personave që transportuan lëndën narkotike nëpërmjet kufirit jeshil.

/Ora News.tv/