Një vajzë 30-vjeçare që do nisej me qëllim trafikimin e saj në Itali është kapur në ambientet e aeroportit të Rinasit.

Si rezultat i operacionit të koduar “RETURN” u vu në pranga një shtetas, si dhe shpallen në kërkim tre të tjerë.

I arrestuari është shtetasi me inciale E. Ç.,  40 vjeç, banues në Tiranë.

Ishte policia kufitare e Rinasit që gjatë intervistimit të një 30-vjeçareje nga Fieri kanë dyshuar në argumentat e saj, se përse po lëvizte drejt Italisë dhe menjëherë kanë bërë ndalimin e saj. Ndërsa i arrestuarit, E.Ç që do ta shoqëronte atë si fillim ka tentuar të largohet, por është bllokuar.

“I arrestuari E. Ç., do shoqëronte 30-vjeçaren drejt Italisë. Shtetasi E. Ç., në momentin që ka parë bllokimin e 30-vjeçares ka tentuar të largohet nga aeroporti”- njofton policia.

Në kërkim - Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e tre shtetasve A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., dhe vijon puna për kapjen e tyre.

“Nga hetimet rezultoi se shtetasi i arrestuar  në bashkëpunim me shtetasit A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., nëpërmjet përdorimit të dhunës kishin detyruar 30-vjeçaren që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali dhe këta shtetas mbrëmjen e djeshme kishin organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroporit të Rinasit” – informon policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit kryer në bashkëpunim”.

/Ora News.tv/