Pesë shtetas shqiptarë janë arrestuar natën e shkuar nën akuzën e trafikut të kokainës.

 Aktivitetin e tyre, ata e zhvillonin në krahinat e Pratit dhe të Firences. Fillimisht ka nisur ndjekja ndaj dy shqiptarëve në zonën e Sesto Fiorentinos, ku fillimisht janë gjetur rreth 300 gram kokainë.

Hetimet zbuluan më pas edhe një person të tretë, po shqiptar që shërbente si furnizues. Atij ju gjetën 523 gramë kokainë në makinën e tij.

Arrestimet çuan edhe në kërkime të mëtejshme në Prato dhe Firence. Në Prato, në zonën qendrore është identifikuar edhe një shtëpi si bazë e kokainës ku është gjetur 1.5 kg kokainë dhe 300 gram substancë e përdorur për prerjen e lëndës. Ndërkohë, aty janë gjetur edhe 21 mijë euro para të gatshme.

Një tjetër shqiptar u arrestua pasi u gjet në apartament dhe që shërbente për ruajtjen e narkotikëve dhe të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm.

Në Firence, në zonën e San Donnino, ushtria gjeti edhe një gjysmë kg kokainë dhe materiale për paketimin. Operacioni atje çoi në arrestimin e një tjetër shtetasi shqiptar.

Kështu në pranga përfunduan shtetasit me iniciale N.E, 31 vjeç, C.F, 30 vjeç, K.A, 31 vjeç, si dhe D.B, 41 vjeç, banues në Firence.

Sasia totale e drogës së kapur është 2.8 kg kokainë dhe më shumë se gjysmë kg substancë përzierëse.

Karabinierët gjithashtu kanë konfiskuar shumën prej 21.460 euro, duke vlerësuar se është përfituar nga shitja e drogës dhe materialet për paketimin e dozave.

Të pesë shqiptarët janë dërguar në burgun Sollicciano.

/Ora News.tv/