Kaosi në Libi, Italia nuk do të ndërhyjë me ushtri, Lega dhe 5Yjet sulmojnë Francën

Kaosi në Libi, Italia nuk do të ndërhyjë me ushtri, Lega dhe

Ndërsa OKB bën thirrje për bisedime dhe Bashkimi Evropian kërkon ti jepet fund trazirave që kanë shpërthyer gjatë kësaj jave në Libi, përplasjet e armatosura vazhdojnë në periferi të Tripolit.

Kryeministri libian Fayez al Sarraj ka mandatuar milicinë Antiterrorizëm të Misuratas

për të shkuar në kryeqytet me qëllim negociimin e një armëpushimi.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini, ka përjashtuar dërgimin e ushtarëve italianë në Libi, teksa ka akuzuar Presidentin francez Macron, duke deklaruar: Parisi është përgjegjës për krizën e re.

"A nuk është Libia më një strehë e sigurt? "Pyesni Francën", është shprehur deputeti i Ligës Veriore, i mbështetur në pozicionin e tij edhe nga 5 Yjet.

Edhe Ministri i Mbrojtjes, Elisabetta Trenta dhe Presidenti i Dhomës Roberto Fico, për herë të parë kanë qenë në të njëjtën gjatësi vale me Salvinin. Sipas Ficos, kriza libiane "është një problem që Franca na ka lënë".

Megjithatë, Roma dhe Paris, vetëm pak ditë më parë, kishin shprehur zyrtarisht një qëndrim të përbashkët, së bashku me Londrën dhe Uashingtonin, për të dënuar eskalimin ushtarak në Libi.

Por tani Salvini vë Francën nën shënjestër: "Unë mendoj se pas nesh është dikush që ka bërë një luftë që ne nuk duhet ta bëjmë, që bën thirrje për zgjedhje pa dëgjuar aleatët dhe fraksionet lokale, dikush që ka shkuar për të treguar forcën".

Tani për tani, një përgjigje nuk ka ardhur nga Elysee, por pas konflikteve mbi menaxhimin e emigrantëve, kriza libiane është padyshim një burim i ri polemikash mes shteteve.

Po ashtu, për shkak të zgjedhjeve të majit 2019 për rinovimin e Parlamentit Europian, Macron dhe Salvini synojnë të paraqesin veten si peshkopët përkatës të kampit proevropian dhe sovran.

Por këtë herë kritikat ndaj Parisit përfshinë të gjithë qendrën e djathtë në Itali, madje edhe zëvendëspresidenti i Forza Italia, Antonio Tajani, kundërshton Francën: "Macron është gabim, vetëm një vend nuk mund të jetë hegjemon në Libi".

Dhe si President i Parlamentit Europian ai shpreson, se së shpejti do të gjendet një kompromis  pasi historia nuk mund të bëhet "një ndeshje midis shteteve".

Sa për përfshirjen italiane në Libi, qeveria siguron se ushtarët italianë nuk do të thirren për të luftuar në Tripoli, duke mohuar "kategorikisht" gadishmërinë për të ndërhyrë me forcat speciale për të mbrojtur kryeministrin Fayez al Sarraj, siç përflitej në shtyp.

Italia do të vazhdojë të punojë në konferencën e Libisë, e cila duhet të zhvillohet në nëntor dhe në të cilën qeveria synon të ruajë një rol të privilegjuar në vend.

EMISIONET