Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar 13 nëntorin si ditën ku do të marrë në intervistë tre kandidatët e mbetur për Prokuror të Përgjithshëm pas skualifikimit nga gara të kandidatit nga radhët juristëve Lulzim Alushaj.

Tashmë në garë janë Prokurorja e përkohshme që ka dy vite në detyrë Arta Marku, Prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj dhe Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela, të cilët janë zyrtarisht nga KLP si kandidatë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Mbledhja është mbajtur ditën e sotme në praninë e 9 anëtarëve, në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti. Sipas KLP duke filluar nga ora 9:30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik.

Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video. Ndërsa të tre pretendentët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit. Pas intervistave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë renditjen e kandidatëve e cila do ti kalojë Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk arrin të miratojë një kandidat me 94 vota atëherë automatikisht Prokuror i Përgjitshem zgjidhet kandidati i renditur i pari në listë nga KLP. Në rast mos zgjedhje në krye të akuzës, prokurorja e përkohshme Arta Marku ka të drejtë të emërohet gjyqtare në Gjykatën e Apelit.

/Ora News.tv/