Shtatë shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë greke nën akuzën e trafikut të drogës.

Shqiptarët kishin ngarkuar lëndë narkotike kanabis sativa në shpinë duke e transportuar drejt territorit grek.

6 prej tyre ishin transportuesit, ndërsa një i shtatë shërbente si vëzhgues duke koordinuar lëvizjet për të shmangur policinë, por që siç duket nuk ia ka dalë dot.

Të arrestuarit janë të gjithë të rinj, të moshave 22, 24, 23, 24, 22, 21 dhe 26 vjeç.

Ata u prangosën në Thesprotia gjatë mbrëmjes së shkuar, pasi transportin 124 kg e 790 gram kanabis.

Mediat greke bëjnë me dije se përveç lëndës narkotike, janë konfiskuar edhe katër telefona celularë.

Njëri prej shqiptarëve, 22 vjeçari që shërbente si vëzhgues, rezulton të jetë i dënuar me 6 muaj burg për vjedhje, si dhe ishte vendosur urdhri i ndalimit për në territorin grek.

Të arrestuarit, të cilëve u janë mohuar dokumentet e hyrjes dhe legalizimin e qëndrimit në vend, do të dërgohen përpara prokurorit në Thesprotia për t'u njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet vazhdojnë nga departamenti antidrogë në Igumenicë.


/Ora News.tv/