Kafshë të ngordhura në Bunë, Mali i Zi akuza se janë hedhur nga ana shqiptare

Kafshë të ngordhura në Bunë, Mali i Zi akuza se janë

Për herë të dytë në harkun e pak muajve Shqipëria ka marrë notë protestë nga Mali i Zi për ndotjen e lumit Buna.  Kafshë e Shpendë të ngordhura kanë dalë në brigjet malazeze, ndërsa autoritetet atje akuzojnë se janë hedhur nga ana shqiptare.

Kafshë e shpendë të ngordhura kanë dalë në brigjet malazeze të lumit Buna, nga grykëderdhja e deri në fshatin Reç.

Duke e konsideruar situatën shqetësuese, autoritetet e vendit fqinj akuzojnë se kafshët e shpendët e ngordhur kanë ardhur nga Shqipëria, pasi sipas tyre në territorin që ato kanë në administrim nuk ka ferma apo pulari.

Vesna Dakoviq, Drejtore e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë Mali i Zi: Është e qartë se problemi është i natyrës ndërkufitare. Si një vend i rajonit me aspiratë për anëtarësimin në BE që nënkupton miratimin dhe respektimin e standardeve në të gjitha fushat, për fat të keq jemi dëshmitarë të një situatë ku kafshët e ngordhura hidhen në lumë.

Banorët e zonës kufitare që jetesën e kanë të lidhur me turizmin e quajnë fat që kjo gjë nuk ndodhi në sezonin turistik, pasi kjo do t’u dëmtonte reputacionin.

Vesna Knezheviq, banore:  Është fat i madh që nuk ka ndodhur gjatë sezonit turistik, sepse do na dëmtonte shumë. Në vend të një panorama të mrekullueshme do i ofronim turistëve këtë. Kjo është një katastrofë ekologjike.

Kapllan Muça, Policia Komunale Ulqin: Ne kemi marrë kontakte edhe me shërbimin e mbrojtjes dhe shpëtim nga Podgorica që të ndihmojnë në pastrimin e lumit nga pulat dhe kafshët e ngordhura.

Ky është rasti i dytë që ndodh kjo ndotje dhe qeveria e Malit të Zi i ka dërguar notë proteste qeverisë së Shqipërisë disa muaj më parë, si shkak i derdhjes së ujërave të zeza në lum, por edhe mbeturinave të tjerave.

EMISIONET