Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar përgjegjësi ligjore ndaj atyre që janë involvuar në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, që kërkohen nga Presidenti Erdogan, pasi konsiderohen terrorist[ në Turqi vetëm se janë përkrahës të Fetullah Gulenit

“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, ka shkruar Veseli në facebook.

“Si shtet demokratik, Kosova në mënyrë institucionale duhet të adreson përgjegjësinë ligjore të akterëve të involvuar në këtë rast. Po ashtu, arrestimi i shtetasëve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqëson Kosova. Kosova s’ka alternative tjetër veç rrugëtimit evropian. Kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesëve arbitrar të tij”, thotë kryeparlamentari.

Ndryshe, gjashtë shtetas turq, pesë prej tyre drejtues të kolegjit “Mehmet Akif” dhe një mjek, janë arrestuar mëngjesin e sotëm e më pas raportohet se janë deportuar për në Turqi, duke ua dorëzuar Inteligjencës Turke.

Gazeta Express ka raportuar se i gjithë operacioni është kryer përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ku Thaçi e ka në krye njeriun e tij, Driton Gashin.

Kjo agjenci, duke ju referuar ligjit, ka vendosur t’ua revokojë lejen e qëndrimit pesë shtetasve turq me arsyetimin se “përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare”. Dhe kështu, policia e Shpend Maxhunit, marionetës së Hashim Thaçit, ka arrestuar brutalisht shtetasit turq.

Krejt kjo është bërë në fshehtësi të plotë dhe kundër parimeve dhe lirive e të të drejtave të njeriut.

Gjatë arrestimit/kidnapimit janë lënduar edhe fëmijët e shtetasve në fjalë.

Gjashtë shtetasit turq ,Turqia i kërkon si terroristë vetëm pse janë përkrahës të Fetullah Gulenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan.

/Ekspres/

/Ora News.tv/