Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë Rama se ka fshehur 610 milion euro detyrime të borxhit publik. Akuzën PD e bazon mbi raportin e KLSH-së.

Eksperti i Ekonomisë, Besard Kadia, i sheh tepër shqetësuese detyrimet që institucionet publike kanë ndaj sigurimeve shoqërore për punonjësit e tyre.

Besard Kadia: Sot kemi një borxh nga më të çuditshmit që është sigurimet shoqërore, shteti shqiptar nuk ka paguar për sigurimet shoqërore. Vlera e përafërt është 110 milion euro detyrime që kanë institucionet publike.Gjithashtu rimbursimi i TVSH mbetet problem thelbësor si dhe protestat që janë bërë së fundmi nga bizneset që nuk po rimbursohen për punimet që kanë kryer në veprat publike.Kemi përformancë shumë të keqe në mbledhjen e të ardhurave.Rritja ekonomike është përgjysmuar, që është dramatike për një shoqëri. Edhe viti i ardhshëm do të jetë po kaq i vështirë dhe këto detyrime do ti vështirësojnë shumë financat publike.

I pyetur nëse Shqipëria mund të rrezikojë një skenar grek,  ish-zv.ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo, thotë se nuk janë kushtet, por shton se buxheti i shtetit noton në ujëra thellësisht të rrezikshme.

Enno Bozdo: Në kulmin e luftës ndaj informalitetit të shpallur me të madhe nga qeveria, një pjesë e madhe e institucioneve publike nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre. Këta inspektorë tatimorë do të ishte shumë mirë të shkonin në Ministri dhe të vinin gjoba.

Në denoncimin e PD nuk janë përllogaritur të gjitha detyrimet ndaj PPP-ve. Sikur të llogariten dhe këto borxhi do të kërcejë diku te 83%. Unë nuk besoj se këtu janë kushtet që skenari grek të përsëritet. Ky vit ka për të qenë shumë i shtrënguar ekonomikisht, viti që vjen partashikohet të jetë edhe më i shtrënguar. Buxheti noton në ujëra thellësisht të rrezikshme. Nuk është vetëm çështja e borxhit, por edhe çështja e shpenzimeve publike siç thotë FMN dhe BB.


/Ora News.tv/