Kacifas trajtohet si hero në Boston

Komuniteti grek në Shtetet e Bashkuara ka festuar përvjetorin e pavarësisë, por ajo që bie në sy është fakti se gjatë saj ka patur thirrje ultranacionaliste kundër Shqipërisë, ndërsa ekstremisti grek, Kostandinos Kacifas, është lartësuar në trajtën e një heroi. Parada e organizuar u karakterizua nga retorika ekstreme, ku shpaloseshin qartësisht pretendime territoriale të cilat nuk respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Kostandinos Kacifas, ekstremisti grek, i cili për disa orë me rradhë kërcënoi sigurinë e banorëve të Bularatit përpara se të qëllohej për vdekje nga forcat RENEA, është trajtuar si hero nga komuniteti grek në Boston të Shteteve të Bashkuara, ndërsa gjatë një parade të organizuar në nder të Përvjetorit të Pavarësisë, portreti i tij është mbajtur në duar, ndërsa nuk munguan as thirrjet që lartësonin figurën e tij.

Ditën e dielë, grekët të mbledhur në kryeqytetin e Masacusets, përkujtuan kryengritjen helene kundër osmanëve.

Por, cuditërisht, gjatë gjithë aktivitetit, u vërejtën thirrje dhe banderola me përmbajtje shoviniste dhe ultra-nacionaliste që shigjetonin kryesisht Shqipërinë.

Shembull është edhe ky mbishkrim ku lexon “Për 105 vite Shqipëria ka thyer Akordin e Protokollit të Korfuzit. Vorio Epiri është ende duke vuajtur.”

Ajo që është për t’u shqetësuar konsiston tek fakti se në rradhët e organizatorëve të paradës përfshiheshin Konsullata e Përgjithshme e Greqisë, Federata Heleno-Amerikane e Nju Ingland dhe Metropoliti Grek Ortodoks i Bostonit.

Duke patur parasysh se Konsullata është një institucion zyrtar që përfaqëson Athinën, thirrjet me prapavijë nacionaliste mund të konsiderohen të papranueshme, duke qënë se përmbajnë qartësisht pretendime territoriale dhe mesazhe që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

EMISIONET