Ju kishte marrë malli për Elsa Lilën? Artistë shqiptarë e italianë solidarizohen për tërmetin

Ju kishte marrë malli për Elsa Lilën? Artistë shqiptarë

Artistë shqiptarë me karrierë të sukseshme në Itali e artistë italianë janë bashkuar këtë të shtunë në Romë në një koncert solidariteti të titulluar "Artistë per Shqipërinë" , në ndihmë të banorëve të zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në sallën akademike të Institutit papal të muzikës së shenjtë fetare në zemër të Romës antike, mjaft pranë sheshit Navona, këngëtarët shqiptarë Elsa Lila me kuartetin e saj, Hersi Matmuja e Iliria Trio, mezzosoprano Irida Dragoni, soprano Flavia Matmuja, pianistja Kozeta Prifti, soprano Ana Lushi, e artistët italianë tenori Angelo Forte, baritoni Piero Terranova, e soprano Elena Lo Forte e Bianca D Amore performuan arie të muzikës së Mozart, Verdit, Vivaldit, të kompozitorëve shqiptarë si Simon Gjoni, Prenk Jakova e këngë tradicionale shqiptare e arbëreshe.

"Jemi mbledhur sot për të dhuruar për popullin shqiptar më të mirën e vetëvetes", u shpreh në hapje të këtij eventi Don Pasquale Ferraro, prifti i Kishës së Shqiptarëve "San Giovanni della Malva" në Romë.

"Artistët, tha ai, gëzojnë një vend të privilegjuar pranë Zotit e veçanërisht muzika si gjuha më abstrakte e njeriut është mjeti më i thjeshtë për të gjetur paqen, me urimin se ajo çka artistët shqiptarë e miqtë artistë italianë do na dhurojnë do na bëjë më zemërgjerë për të ndihmuar me atë ç'ka mundemi, popullin shqiptar në vështirësi pas ngjajes tragjike të tërmetit".

Fondet e mbledhura gjatë këtij koncerti bamirësie do t'i dorëzohen Konferencës Episkopale në Shqipëri e drejtpërdrejtë kryetarit të kësaj Konference Arqipeshkopit Imzot George Frendo.

Komuniteti e artistët shqiptarë në Itali pas ngjarjes tragjike të 26 nëntorit kanë organizuar mjaft iniciativa solidariteti në ndihmë të banorëve të mbetur pa banesa e familjeve në vështirësi.

Ish-fituesja e disa viteve më parë të Festivalit të Muzikës shqiptare e një nga përfaqësueset e Shqipërisë në Eurosong, soprano Hersi Matmuja për RTV Ora rrëfen se artistët shqiptarë jo vetëm të bashkuar por dhe individualisht kanë kontribuar me aq sa munden qoftë dhe me riparimin e një banese të dëmtuar, siç ajo ka bërë me trio Iliria, një kompleks muzikor me artistët shqiptarë e italianë që janë bashkuar nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare e italiane.

Soprano Ana Lushi shprehet e nderuar se thirrjes së tyre për të ndihmuar Shqipërinë iu bashkuan dhe artistët italianë që treguan zemrëgjerësinë e tyre humane e artistike për një popull mik si Shqipëria.

Melodia e këngës arbëreshe "Moj e Bukura More" apo "Lulebore" përcollën momente emocionuese në sallë.

Ky është eventi i parë artisitik i komunitetit shqiptar në Itali që hap vitin 2020 në përgjegjësinë e kontributit të përbashkët që kapërcen kufijtë territorialë e që lidh dy vendet përmes artit, miqësisë e humanizmit.

Koncerti "Artistët për Shqipërinë" u promovua nga 3 përfaqësitë diplomatike në Itali; nga Ambasada Shqiptare në Romë, nga Ambasada Shqiptare në Vatikan e nga Ambasada e Kosovës në Itali.

Artistët shqiptarë e italianë premtuan se arti i tyre në ndihmë për Shqipërinë e plagosur nga viktimat e gërmadhat e tërmetit, do të vazhdojë me iniciativa të reja solidariteti e bamirësie.


EMISIONET