Emisioni "Ju Flet Moska" në RTV Ora trajtoi ditën e sotme lirinë e shtypit dhe të medias në Shqipëri pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama.

Në analizën që gazetari Kastriot Myftaraj bën, ai tregon se është shumë e vështirë që një gazetar të verifikojë fakte në institucionet publike.

Kastriot Myftaraj: Si asnjëherë në Shqipëri pas vitit 90' media është vënë si midis çekanit dhe kudhrës si në një lloj sanduiçi të hekurt, midis të vërtetës zyrtare të krijuar nga qeveria dhe shtetit e ndëshkimit që në këtë rast përfaqësohet nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë i cili ndëshkon deri me burg, ata që përhapin panik me anë të informatave të rreme. Kryeministri këto ditë pas tërmetit e ka pasur shumë përzemër t'i ngacmojë mediat, t'i provokojë, t'i kërcënojë duke thënë ato fjalët që tashmë njihen:  "Mos më detyroni të bëj atë që nuk ua merr mendja. Do t'jua bëj si në Japoni". Dhe nuk e di ky njeri që na vjen rrotull nëpër Shqipëri i veshur si trajneri i kombëtares të futbollit midis bodyguard-ësh të veshur korrekt me kostumet përkatëse. Nuk e di ose shtiret sikur nuk e di se në Japoni i ndëshkonte shteti rreptë mediat që përhapnin të pavërteta pas katastrofës bërthamore në vitin 2011 në Fukushima- Daichi. Por shteti japonez kishte dhe ka një rekord botëror të përgjigjes për verifikimin e fakteve. Nëse i drejtohesh shtetit të Edi Ramës. Se sot ky kontrollon pjesën më të madhe të shtetit. Ky zotëri pra Edi Rama, ky zotëri i pushtetshëm ka në dorë një shtet duke nisur nga qeveria dhe institucionet e tjera që ia marrin shpirtin atij që kërkon verifikim të fakteve, informim në bazë të ligjit për të drejtën e informimit publik.

Për më tepër shikoni videon e emisionit të plotë

/Ora News.tv/