"Ju flet Moska": Lufta Turqi-Greqi, e pashmangshme në kohë

"Ju flet Moska": Lufta Turqi-Greqi, e pashmangshme në kohë

Tensionet e ditëve të fundit në detin Egje mes Turqisë dhe Greqisë ishin në fokus të emisionit "Ju flet Moska" të Kastriot Myftaraj.

Myftaraj: Ditët e fundit Greqia dhe Turqia përsëritën ritualin e tyre të përplasjes ushtarake deri në kufinjtë e zjarrit, u ndalën pak para nisjes së luftës. Ishte një nga ato incidente që duhen se janë bërë rituale dhe mendon se mund të kontrollohen por historia ka treguar se kur dy vende përfundojnë vazhdimisht në këtë lloj përplasje shkojnë në luftë. Është e çuditshme që të mos shkojnë në luftë herët a vonë, ndoshta më tepër herët se vonë, dy vende që kanë një komunikim të tillë megjithëse gjenden në të njëjtën aleancë, në NATO.

E kam fjalën për komunimin e luftëanijeve greke dhe turke të pozicionuara në Egje pranë një ishulli ku ka pasur edhe përplasje me armë mes dy vendeve dhe të vrarë mes forcave të armatosura. Në anije gjendej Ministri grek i Mbrojtjes. Një oficer grek komunikon me homologun turk që në mënyrë kërcënuese i thotë të ndalojë se ka hyrë në ujërat territoriale turke dhe po në mënyrë kërcënuese oficeri grek i përgjigjet se janë ata që po bëjnë një dhunim të ujërave territoriale greke dhe duhet të tërhiqen.

Në këto rrethana mund të mendohet se të dy këto vende të cilat kanë krijuar tashmë kombet përkatëse, kanë krijuar një psikologji të përhershme të luftës është e pashmangshme që do të shkojnë në luftë. Problemi është që çfarë pasojash do të lërë kjo luftë tek fqinjët e tyre, ku në Ballkan jemi edhe ne. Sepse meqenëse ata duan kaq shumë ta bëjnë një luftë, le ta bëjnë dhe të qetësohen. Historia ka treguar se luftërat çlirojnë energjitë negative. Një luftë greko-turke duket e pashmangshme megjithëse mund të shtyhet në kohë.

Nuk mund të shtyhet në të ardhmen e largët. I ka të gjitha gjasat të ndodhë duke vënë në pikëpyetje kohën se kur, sepse është situata perfekte që e nxit luftën. Nga njëra anë Greqia, për hir të së vërtetës nuk e do luftën por do atë që quhet teatër i luftës, do vazhdimisht të përsërisë pretendimin e për kufirin e saj detar në Egje dhe Qipron e Bashkuar por kënaqet edhe me status-quonë ekzistuese. Problemi është se kjo nuk e bën një komb shumë paqësor.

Por mendoj se është Turqia që këto situata që ja krijon Greqia do të joshet, e ka në interesin e saj të brendshëm luftën me Greqinë. Turqia ka një elitë politike sunduese sot. Çështja është që Turqia sot është e refuzuar nga Perëndimi, SHBA dhe BE dhe ka brenda një problem, praktikisht përballet me një luftë guerrilase kurde të një etnie të madhe që ka brenda prej disa milionë njerëzish.

Dhe lufta elitës turke do ti zgjidhte shumë probleme, do ta legjitimonte për qëndrimin ndaj Perëndimit, do të siguronte legjitimitetin e brendshëm. Këto lloj kombesh mobilizohen kur bëhet lufta. Regjimi i sotëm turk ka rritur ndjenjën fetare dhe e ka vënë theksin shumë tek përmasa fetare e politikës dhe ky regjim përnjëherë fillimin e luftës do ta shikonte si një luftë të shenjtë. Lufta me një komb të krishterë.Kjo për një regjim si i Erdoganit është një zhvillim i mirëpritur.

 Diktatura ushtarake greke që sundonte Greqinë në 1967-1974 hyri në luftë në Qipro për të marrë nën kontroll të gjithë ishullin, hyri në luftë për të krijuar legjitimitet të brendshëm dhe aty ra. Është e njëjta situatë, Erdogan ndodhet në Turqi në situatën kur është i detyruar që regjimin ta kthejë në një diktaturë për të siguruar jetën e familjes së tij, të ardhmen e familjes së tij por dhe të rrethit të tij me të të cilët ka bërë shumë krime jo vetëm në Kurdistan por në zonën e Ankarasë, Turqi.

Lufta greko-turke mund të jetë një nga zhvillimet e ardhshme të papritura por duhet të jemi të përgatitur për pasojat që do të lënë. Pasojat do të jenë në Ballkan më shumë sepse jemi më afër. Natyrisht do të ketë pasoja dhe në lindje të Turqisë por flasim për pasojat që na prekin drejtëpërdrejtë. Këto situata kërkojnë që të jemi të përgatitur.


EMISIONET