Jo vetëm paradoks

Jo vetëm paradoks

Jo vetëm paradoks:

Shqipëria është republikë,
por nuk ka ditë të republikës!

Kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, zyrtarisht titullohet “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.
Ndërsa në pikën e parë të nenit të parë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sanksionohet:
“Shqipëria është republikë parlamentare”.

Pra, Shqipëria është republikë, por ditë të republikës nuk ka!

Të gjithë shtetet e kësaj bote që kanë republikën si formë të organizimit shtetëror, qofshin republika demokratike apo jo, qofshin republika parlamentare, presidenciale apo edhe ato që quhen republika islamike, të vjetra a të reja, e kanë një ditë të lindjes apo të shpalljes së republikës.
E kanë ditë të historisë e të krenarisë së tyre.
Madje shumë prej tyre e kanë kryeditë!

Vetëm Republika e Shqipërisë nuk e ka!
Nuk e ka, edhe pse ka President të Republikës.
Nuk e ka edhe pse ka Kuvend të Republikës e, edhe qeveri të Republikës së Shqipërisë!
Nuk e ka, edhe pse vendimet e gjykatave shpallen në emër të republikës!

Republika e Shqipërisë nuk e ka ditën e republikëse, me sa duket për të dëshmuar edhe përmes kësaj mungese që nuk është aspak formale, më shumë se injorancën në qasjen ndaj shtetit, perversitetin e një klase politike, që nuk ka lidhje me kulturën e shtetit, që nuk e di se çfarë është historia e shtetit dhe se si historia iu nënshtrohet vetëm ligjësive të saj dhe parimit të historizmit!

Shqipëria është shpallur dy herë republikë; për herë të parë më 1 janar 1925 si Republika Shqiptare, e mandej pas Luftës së Dytë Botërore, më 11 janar 1946 si Republika Popullore e Shqipërisë.

Por, ndërsa vendimi i parlamentit të asaj kohe për republikën e parë të 1 janarit 1925 u abrogua duke e zëvendësuar republikën me monarkinë më 1 shator 1928, republika e dytë, ajo e 11 janarit u zëvendësua prej marrëzisë që rrëzimin e sistemit komunist, e “lexoi” sipas qefit të vet edhe si rrëzim të republikës!

E sot, edhe prej kësaj mungese, por jo vetëm prej saj, jemi një vend qesharak dhe karagjoz në botë, sepse jemi e vetmja republikë pa ditën e republikës!

Dhe për ta bërë më të plotë paradoksin dhe turpin bashkë, në kalendarin e festave zyrtare, kemi festë ditën e verës, por jo ditën e republikës!

EMISIONET