Itali, mesazhe shprese në kohë krize

Itali, mesazhe shprese në kohë krize

Italianët po mësohen me jetën në karantinë, por epidemia e koronavirusit nuk ua ka vrarë shpresat. Mesazhe optimizmi dhe mbledhja e donacioneve për spitalet janë disa nga nismat që të vegjël e të mëdhenj po ndërmarrin ndërsa sëmundja infektive rëndon përditë tragjedinë në vend.

Epidemia e koronavirusit ka izoluar tërë Italinë prej katër ditësh me një bilanc tragjik, por në Romë dhe në qytetet e tjera, disa nga rrugët dhe ballkonet e vendit po afishojnë mesazhe optimizmi.

"Gjithçka do të shkojë mirë" apo "Jeni heronjtë tanë", të shoqëruara me ylberin simbolik, janë disa nga frazat shpresëdhënëse që fëmijët italianë po qarkullojnë në solidaritet të milionave banorëve dhe doktorëve që luftojnë me epideminë në terren.

Përpjekjet e tjera sensibilizuese janë fokusuar te mbledhja e fondeve për spitalet, kryesisht në rajonet më të varfra jugore të vendit.

Bilanci i viktimave u rrit një ditë më parë mbi 1 mijë ndërsa u raportuan 23 për qind më shumë të infektuar duke arritur totalin mbi 15 mijë raste.

Normalja e re në vend janë bërë tani pikat turistike dhe rrugët e boshatisura, dyqanet dhe restorantet e mbyllura, dhe radhët e gjata për blerje.

Punonjësit e dezinfektimit u shpërndanë të premten në çdo kënd të Milanos.

Sikundër këto ditët e fundit, u raportuan radhë të gjata blerjesh, duke respektuar distancën prej 1 metër nga njëri-tjetri, të udhëzuar si masë sigurie për mospërhapjen e infeksionit.

Me urdhër qeverie, deri në datën 25 mars, shumica e bizneseve do të qëndrojnë mbyllur, me përjashtim të supermarketeve dhe farmacive.

Sanksionet për ata që lëvizin kundër urdhrave variojnë nga burgimi tremujor dhe gjoba 200 euro për qytetarët, deri te pezullimi i aktiviteteve për bizneset.

Përballë krizës epidemike, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Fon Der-Lajn, tha të premten se i gjithë unioni është gati ta ndihmojë vendin më të prekur nga virusi në kontinent, dhe është gati t'i ofrojë Italisë çfarëdo ndihme që të kërkojë.



EMISIONET