Itali, kapet shqiptari i dënuar për prostitucion dhe vjedhje
Një shqiptar është vënë në prangat e policisë italiane, ndërsa ishte duke shkuar të hante mëngjes në një bar.
Arrestimi i tij është bërë nga Karabinierët e Castellanza, ndërsa mediet fqinje raportojnë se 45-vjeçari shqiptar akuzohej për shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje.
Shqiptari - Kishte një urdhër arresti lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Milanos dhe ishte dënuar me 8 vjet e 2 muaj burg, si dhe një gjobë prej 234 mijë euro.
Mësohet se shqiptari i kishte kryer krimet rreth vitit 2000 në zonën e Milanit dhe Castellanzas.
Arrestimi - Karabinierët e Castellanza kishin disa javë që e gjurmonin shqiptarin, pasi kishin vërejtur disa makina të dyshimta që endeshin rreth shtëpisë së tij.
Shtëpia ku qëndronte shqiptari kishte qenë e mbyllur për disa kohë, ndërsa papritur u kthye në një vend të banuar, çka rriti edhe dyshimet e policisë.
Shqiptari 45-vjeçar u burgos në burgun e Busto Arsizio në dispozicion të autoritetit gjyqësor.