Ish-këshilltarja e Ramës emërohet Avokate e Përgjithshme e Shtetit

Qeveria miratoi emërimin e Enkeljeda Muçaj në detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Ajo zëvendëson në këtë detyrë Artur Metanin, i cili u zgjodh Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, vendosi: Znj. Enkelejda Muçaj emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Sipas vendimit të publikuar në faqen e qeverisë, akti hyn në fuqi menjëherë. 

Enkelejda Muçaj do të marrë drejtimin e Avokaturës së Shtetit pas mbetjes së vendit vakant nga largimi i Artur Metanit i cili në janar të këtij viti u votua nga Parlamenti në detyrën e drejtuesit të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. 

Avokatja Enkelejda Muçaj  ka përfaqësuar kryeministrin Edi Rama në dhjetëra procese gjyqësore të hapura prej tij përfshirë edhe paditë për shpifje që kreu i qeverisë ka ngritur ndaj përfaqësuesve të opozitës.

Pak CV- Enkeljeda Muçaj punon si avokate në një firmë ligjore prej vitit 2000. Ajo ka asistuar klientë të huaj dhe vendas që operojnë veçanërisht në sektorin e naftës, gazit dhe minerareve si dhe në industrinë e telekomunikacionit në Shqipëri.

Në vitet 1998-2000, Enkelejda Muçaj ka pasur edhe një rol si “Këshilltare Ligjore e Ministrit të Kulturës dhe Rinisë së asaj kohe, Edi Rama. Ajo ka ofruar ndihmë juridike posaçërisht në lidhje me kornizën e re ligjore të ligjit për të drejtat e autorit në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera në biografinë e saj.

EMISIONET