Ish-ambasadori i OSBE kërkon formimin e Qeverisë, tregon çfarë mendon për Albin Kurtin

Ish-ambasadori i OSBE kërkon formimin e Qeverisë, tregon

Vizitën e tij në prag të 21 vjetorit të masakrës së Reçakut po e shfrytëzon edhe për takime nëpër parti politike.

Ish ambasadori i OSBE-së Wiliam Walker i ka vizituar partitë që në zgjedhjet e 6 tetorit dolën e para dhe e dyta.

Dje ishte në LDK ndërsa sot shkoi në Vetëvendosje ku u takua me liderin e kësaj partie Albin Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Walker foli para gazetarëve duke kërkuar që sa më shpejt të bëhet Qeveria e re.

Ishte vetë Kurti që e përcolli Walker deri te dera por që nuk dha deklaratë për gazetarë. Ndërsa mysafiri amerikan tha se lufta për pozita është sistem i vjetër ndërsa theksoi se kishte menduar se tash me lidershipin e ri edhe idetë do të jenë ndryshe.

“100 ditë prej zgjedhjeve, kam menduar që negociatat dhe pozitat janë sistem i vjetër, kam menduar se ky është një sistem i ri, lidership i ri me ide më ndryshe, le t'i bashkojmë gjërat dhe të arrihet që të bëhet Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Walker tha se populli i Kosovës ka shume nevojë për Qeverinë e re ndërsa shtoi se njerëzit kanë pritje të mëdha.

“Një shtet pa Qeveri vështirë se mund të quhet shtet. Keni  nevojë për një Qeveri, dhe pritjet e njerëzve këtu dhe pritjet e diasporës janë që ju keni një shans tani për të rinjtë , idetë e reja, mirëpo përderisa nuk e formoni qeverinë asnjë prej këtyre nuk mund të ndodhë”, tha ai.

Duke folur për kandidatin për kryeministër Albin Kurti, Walker tha se e njeh qysh para 20 viteve kur ka qenë me flokë të gjata duke thënë se ka qenë i fasionuar nga ai.

Wiliam Walker po qëndron në Kosovë për të marr pjesë në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut ku u masakruan më shumë se 40 persona.

Walker që në atë kohë ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së nga fshati Reçak pati deklaruar se ajo çka ka bërë regjimi i Millosheviçit në Reçak është krim kundër njerëzimit.

Walker vjen në Kosovë  çdo 15 janar ndërsa pranë varrezave të martirëve i është ngritur edhe një lapidar. /KosovaPress/


EMISIONET