"Investimi" i sekuestron 1,5 milionë euro llogari bankare ish-drejtorit të ALUIZNI-t

"Investimi" i sekuestron 1,5 milionë euro llogari bankare

Policia e shtetit i ka sekuestruar ish-drejtorit të ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, shumën prej 1,5 milionë euro llogari banke të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme. Sipas policisë, Shehu ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove në një bankë jashtë vendit, ndërsa 500 mijë euro i kishte vendosur në depozitë pa afat. Pas sekuestrimit nga policia, Shehu për RTV Ora i quan të pavërteta deklarimet e policisë dhe shumën e ka përfituar nga shitja e një hoteli.

Policia e shtetit ka njoftuar se ka sekuestruar 1.5 milionë euro llogari bankare të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme, të cilat i përkasin ish-kreut të ALUIZNI-t për rajonin e Tiranës, Ferdinand Shehut.

Sekuestrimi është kryer në kuadër të operacionit “Investimi” dhe sipas bluve nëpërmjet një banke private, Shehu ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Reagon Shehu: 1.5 milione eurot nga shitja e një hoteli 

Pas njoftimit të policisë, ish-drejtori i ALUIZNI-t në një prononcim telefonik për RTV Ora nga Italia mohon që ti ketë përfituar nga burime të paligjshme shumën prej 1.5 milionë eurosh.

Sipas tij, këto të ardhura i ka përfituar në mënyrë të ligjshme nga shitja e një hoteli.

Ferdinand Shehu“Aktualisht ndodhem në Itali, për sekuestrimin jam njoftuar nga mediat. Nuk kam asgjë për të fshehur, do të kthehem në Shqipëri. Është shoë si çdo gjë tjetër që bëhet në vend. Transaksioni që po kryeja ishte në përputhje me ligjet shqiptare, në rrugë bankare dhe noter. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe nga ky moment është ngarkuar avokatja ime". 

Ish-zyrtari dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme. Shehu ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane në vitet 2006 – 2011.

Ndërkohë në 2011 me firmën e kreut të ALUIZNI-t të asaj kohe, Shaban Memia u shkarkua nga posti i  Drejtorit të Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Ndërtimeve Informale për Tiranën me motivacion "mungesë e integritetit personal".

EMISIONET