Përfundimi i punimeve në ndërtimin e projektit TAP ka sjellë efektet e para negative në ekonominë e Shqipërisë. INSTAT raporton një rënie të investimeve të huaja. Për ekspertët e ekonomisë, shkak i kësaj situate është dhe sistemi tatimor në vend. Madje nënvizohet se në këtë situatë të konkurrencës Shqipëria nuk është gati për minishengenin.

Investimet private në vitin 2019 kanë rënë në nivelin më të ulët duke nisur nga tremujori i dytë. Të dhënat janë bërë publik prej INSTAT ku nënvizohet se shkak janë ulja e punimeve të realizimit të TAP, projekt që është në përfundim. 

Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë situatën ekonomike tejet të dobët, teksa theksojnë se ndikim të drejtpërdrejt kanë patur politikat fiskale dhe taksat e larta.

Selami Xhepa: Kjo i dedikohet në përgjithësi dobësive të vazhdueshme strukturore të ekonomisë së vendit. Klima e biznesit vazhdon të jetë problematike. Mendoj që më shumë i atribuohet përdorimit selektiv të këtë legjislacioni.

Për shkak dhe të konkurrencës në rajon, ekspertët nënvizojnë dhe rrezikun nga minishengeni.

Arben Malaj: Hapja e tregjeve nuk ka ecur paralelisht me institucionet e mbikëqyrjes së tregut.

Parashikimet flasin për situatë edhe më të vështirë ekonomike, në rast se nuk luftohet korrupsioni.

Arben Malaj: Rritja ekonomike shpresohet më shumë nga shirat për energji elektrike sesa nga aftësia konkurruese e ekonomisë shqiptare.

Selami Xhepa: Ato që janë në dorën e qeverisë dhe kanë rëndësi lidhen me atë që njihen si funksionim i shtetit ligjor dhe praktika të korrupsionit.

Edhe mungesa e Kosovës në këtë nismë, shihet me skepticizëm.

Selami Xhepa: Mos harrojmë që Kosova është partneri më i rëndësishëm tregtar për Shqipërinë. Është i vetmi vend që kemi suficit tregtar.  Është me rëndësi që ne të kemi përfitime nga këto procese.

Viti 2020, sipas ekspertëve mund të paraqesë përmirësim të situatës për shkak të parave që do të injektohen nga Konferenca e Donatorëve, ndërsa apeli i tyre vjen për realizim të menjëhershëm të projekteve, pa zvarritje institucionale.


/Ora News.tv/