Armë, eksploziv dhe leva në Qendrat e Votimit. Komisionerët e PS-së dhunojnë vëllezërit në Klos

Armë, eksploziv dhe leva në Qendrat e Votimit. Komisionerët e

Edhe pse përgjithësisht i qetë, incidentet nuk munguan as në këtë proces votimi. Dy vëllezër në Klos denoncuan se janë  dhunuar nga tre komisionerë të Partisë Socialiste në fshatin Gurrë, pasi sipas tyre i filmuan duke transportuar votues me mjetet e tyre. Një 53-vjeçar në Durrës hyri me armë në një qendër votimi, ku kërcënoi anëtarët e komisionit dhe theu kutinë. Ndërkohë në Bushkash të Burrelit, një shpërthim u regjistrua gjatë natës në shkollën ku këtë të dielë u votua. Incidente të vogla pati edhe në zona të tjera.

Një incident i rëndë është regjistruar gjatë votimeve në fshatin Gurrë e Madhe, bashkia Klos. 59-vjeçari, Asllan Likursi, është goditur me levë në kokë nga tre komisionerë të PS-së, ndërsa i plagosur sipas pretendimeve ka mbetur edhe vëllai i tij më vogël sipas pretendimeve të familjarë.

Sami Likursi: Djali ka shkuar me votu, vëllai i vogël ka filmuar komisionerët që kanë marrë makina private pa letra dhe targa, ka shkuar duke marrë votues dhe lënë qendrën e votimit. Merr njerëz dhe fut brenda. Vëllai i vogël ka filmuar makinën, ata kanë marrë levat dhe kanë dalë jashtë, e kanë gjuajtur vëllanë e vogël.Ky ka hyrë për ti ndarë dhe e kanë goditur edhe këtë kokës. Kur ika unë ishin mbuluar me gjak. Vëllai i vogël është në shtëpi, këtë e kanë dëmtuar më shumë. Policia këtij i tha shko dhe bëj denoncimin. Janë goditur nga komisionerët Ylber dhe Lulzim Musta dhe Ervin Heti.Tre komisionerë të PS, se ne nuk kemi komisionerë. Ata kanë qenë me leva dhe llastiqe dhe e kanë gjuajtur vetëm se ka filmuar makinën,  transporto njerëz dhe fut brenda.

59-vjeçari u  transportua në Spitalin e Traumës, ndërsa policia lokale thotë se po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe vënies së autorëve para përgjegjesisë.

Më herët, një 53-vjeçar është futur me armë në qendrën e votimit në nr. 1521, në Sukth, ku kërcënoi komisionerët dhe theu kutinë e votimit.

Ramiz Bakanaçi ishte protagonisti i ngjarjes së rëndë që fatmirësisht përfundoi pa të lënduar dhe me arrestimin e tij nga policia.

Anëtarët e Komisionit të Votimit, thonë se 53-vjeçari ishin paraqitur fillimisht aty në gjendje të pirë dhe më pas ishte rikthyer me armë në dorë.

Ramiz Bakanaçi është vënë në pranga, ndërsa ndaj tij janë ngritur një sërë akuzash që lidhen edhe me krimin zgjedhor.

Ndërkohë shkolla 9-vjeçare në Bushkash të Burrelit, e përcaktuar si qendër votimi u sulmua me lëndë shpërthyese.

Nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të lënduar, ndërsa ngjarja nuk pengoi as procesin e votimit që u mbajt në të njejtën shkollë.

Një 28-vjeçar përfundoi në pranga ndërkohë pasi sipas policisë gjatë natës qëlloi me armë në  aksin Burrel-Klos, me qëllim krijimin e panikut.

Në Fier, ndërkohë dy persona u ndaluan pranë Qendrës së Votimit të fshatit Topojë, pasi sipas raportimeve u bënin presione qytetarëve për të mos votuar.

Policia e Shtetit në një reagim për ngjarjet thotë se është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.


EMISIONET