Ilir Ibrahimi, president i Bordit të Drejtorëve në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), shprehet kritik ndaj bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë.

Në një lidhje me skype për RTV Ora, Ibrahimi kërkon lehtësira për bizneset kosovare që të depërtojnë në tregun shqiptar.

Ibrahimi: Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura që duhet të respektojnë njëra-tjetrën. Ne nuk kemi pasur relacionin më të mirë me njëri-tjetrin. Unë jam dhe President i Odës Amerikane këtu në Kosovë dhe kemi pasur kompani të ndryshme që janë ankuar për pengesa të ndryshme për të bërë biznes në Shqipëri. Çdo gjë sillet rreth ekonomisë. Duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë.Të hapen mundësitë për bizneset kosovare që të depërtojnë në tregun e Shqipërisë.

Sa i përket çështjeve politike, Ibrahimi thotë se ka pasur iniciativa që vinë herë pas here, qoftë edhe takimi i Novi Sadit, por nuk ishte e pranishme Kosova.

"Nuk e kuptoj se çfarë shengeni ballkanik mund të bëhet pa Kosovën" deklaron ai.

Si projekt, minishengenin ai e sheh atraktiv edhe për investimet e huaja në rajon nëse do të integrohet si duhet dhe nuk do të ketë dominime të një ekonomie ndaj një tjetre.

Ibrahimi: Nëse do të arrihet të integrohet si duhet ky treg do të ishte atraktiv, por nëse ka dominime të një ekonomie ndaj një tjetre, në këtë rast dominimi më i madh do të vinte nga ekonomia e Serbisë dhe më pas e Shqipërisë ndaj këtyre ekonomive më të vogla kjo nuk është fair ndaj bizneseve kosovare, malazeze etj.Duhet pasur kujdes, duhet të shihet me objektivizëm dhe jo patriotizëm lokal.Integrimi i rajonit duhet të shkojë drejt BE dhe nëse kjo nuk mund të arrihet për shkak të politikanëve, kjo nuk mund të maskohet me inskenime të tilla.

Ibrahimi vlerëson se është momenti i fundit që qeveria në Shqipëri dhe Kosovë të marrin hapa konkretë.

Ibrahimi: Duhen tejkaluar interesat e ngushta të politikanëve në Kosovë dhe Serbi.Ka interes të madh të investohet nga Kosova në Shqipëri, sidomos në zonën bregdetare, në hoteleri dhe gjëra të tjera por ka ngurim. Nga përvoja e deritanishme kemi pasur shumë kompani kosovare që kanë investuar me miliona por pas muajsh apo vitesh u është dashur të tërhiqen, ndërkohë që kemi shumë kompani shqiptare që janë të suksesshme në Kosovë.

/Ora News.tv/