Duket se FSHF ka arritur një dakordësi me Ministrinë e Shëndetësisë për rifillimin e futbollit në Shqipëri.

Por është ende e paqartë se si do të procedohet më tej. Administratori i klubit të Flamurtari, Sinan Idrizi i ftuar në Ora Sport u shpreh se skuadra nuk do të zbresë në fushë nëse FSHF nuk mban përgjegjësi për raste të infektimit të lojtarëve gjatë ndeshjeve.

Idrizi: Futbolli është gati. Por siç mendohet të kthehet në Evropë ne nuk jemi gati. Në rastin më konkret në Shqipëri, ligji dënon ata që e transmetojnë pa vetëdije. Janë disa situata që nuk janë të qartësuara.  Në Gjermani dhe Britani është degë e ekonomisë. Këtu në Shqipëri nuk është pjesë e saj. Qytetarët përmes taksave financojnë skuadrat. Ne nuk kemi industri të futbollit. Në thelb, Flamurtari nuk është mirë në kampionat. Ne kemi bërë një kampionat të shëmtuar. Ne kemi probleme të mëdha që lidhen drejtëpërdrejtë me investitorët. Fondet e Flamurtarit janë të bllokuara. Ne nuk zbresim në fushë nëse FSHF nuk mban përgjegjësi për transmetimin e sëmundjes. Na hedhin në gjyq pasi një lojtar mund të thotë që jam infektuar gjatë ndeshjes që kemi zhvilluar në Vlorë. Këta e organizojnë kampionatin dhe këta duhet të mbajnë përgjegjësinë. Unë kam qenë i pari që kam dashur ndërprerjen e kampionatit.

/Ora News.tv/