Protesta kundër Ramës, pranga ish-deputetit dhe zyrtarëve të PD-së në Librazhd

Protesta kundër Ramës, pranga ish-deputetit dhe zyrtarëve të

Ish-deputeti Aurel Bylykbashi dhe 6 drejtues të Partisë Demokratike në bashkitë e qarkut të Elbasanit janë arrestuar në lidhje me protestën kundër kryeministrit Edi Rama të enjten në Librazhd. 16 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

7 persona janë arrestuar dhe 16 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë nga policia për protestën në hyrje në Librazhdit kundër kryeministrit Edi Rama i cili ishte atje për takime elektorale.

Mes të arrestuarve është ish-deputeti demokrat Aurel Bylykbashi, dhe 6 drejtues e zyrtarë të degëve të Partisë Demokratike në Bashkitë e Qarkut të Elbasanit.

Policia thotë se ata janë arrestuar bazuar në pamjet filmike dhe raportet e shërbimit, për protestë të paligjshme, pengim të qarkullimit të mjeteve dhe pengim të subjekteve zgjedhore.

Sipas Policisë mbështetësit e opozitës tentuan të pengojnë eskortën e Kryeministrit dhe e goditën me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike.

Po kështu ka filluar proçedimi penal në gjendje të lirë, për të njëjtat vepra penale edhe për 16 pjesëmarrës në protestë.

Partia Demokratike ka paralajmëruar se protestat do të shoqërojnë të gjitha takimet elektorale të kryeministrit Edi Rama në kuadër të fushatës zgjedhore që ai po zhvillon për zgjedhjet e 30 qershorit.

Janë arrestuar

- B.V., 48 vjeç, (Kryetari i Degës së PD-së Librazhd);

- A.B., 53 vjeç, nga, Elbasani (ish deputet i PD);

- A.K., 43 vjeç, nga Prrenjasi;

- E.G., 32 vjeç, nga Librazhdi (sekretari i PD-së, dega Librazhd);

- D.B., 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik;

- L.O., 31 vjeç, nga Piskashi;

- B.K., 54 vjeç, nga Librazhdi.


EMISIONET