Pokeri nuk e nxjerr "gomarin" nga balta!

Napoli fitoi, por Carlo Ancelotti bëri atë që pritej prej kohësh, përgatiti valixhet dhe u nis në një rrugë larg "San Paolo". Menjëherë pas fitores me shije kualifikimi, klubi italian nuk u mendua dy herë, duke marrë masat e para për skuadrën.

Ancelotti shkarkohet përmes një njoftimi zyrtar në orët e mesnatës, me Don Carlon që i hap krahun, Gennaro Gattusos.

"SSC Napoli ka vendosur të revokojë rolin e trajnerit të ekipit të parë nga Carlo Ancelotti. Raporti i miqësisë, admirimit dhe respektit reciprok midis klubit, Presidentit të tij dhe Carlo Ancelotti mbetet i paprekur," thuhet në deklaratën për shtyp të klubit napoletan.

Situata katastrofike në kampionat, si dhe entuziasmi i munguar në skuadër detyroi presidentin, Aurelio de Laurentiis që të marrë vendimin e shkarkimit të Ancelotti, duke e konsideruar si përgjegjës për këtë situatë.

60-vjeçari mund të marr pak kohë për reflektim, teksa ofertat drejt tij nuk mungojnë. Arsenal dhe Everton kanë shfaqur interes për të, me Ancelotti që është gati të rikthehet në Premier League pas eksperiencës me Chelsea.

/Ora News.tv/