I dënuari për trafik narkotikësh dhunon biznesmenen në Lazarat

Një grua e njohur si administratore e një firme në Lazarat pretendon se është dhunuar dhe bërë për spital nga nipi i bashkëshortit të saj me të cilin janë në proces gjyqësor për çështje pronësie. I akuzuari për dhunë është Alfons Buzheri, një personazh me të shkuar kriminale, por që është lënë i lirë nga Policia e Gjirokastës me një vendim që ende nuk e sqaron motivin.

Kjo grua e identifikuar si Lavdie Buzheri, e njohur si administratore e një firme në Lazarat, akuzon se është dhunuar dhe bërë për spital nga nipi i bashkëshortit të saj, Alfons Buzheri.

Ky i fundit një personazh problematik në raport me drejtësinë dhe i dënuar për një sërë veprash penale.

Nga Spitali i Gjirokastrës, ku qëndron e shkruar, gruaja thotë se u dhunua pasi gjeti në pronën e saj 35-vjeçarin dhe disa persona të tjerë duke i marrë materiale nga magazina.

Lavdie Buzheri: “Po ngarkohej një makinë dhe i filmova. I thashë mos ngarkoni se është malli i kompanisë sime, kam një fabrikë ku prodhoj rrjeta teli. Jam administratore. Ata u futën me forcë. Jemi në proces gjyqësor me ta. Është firma, prona dhe puna ime. 

Ata e morën me forcë, u futën me forcë. Ka disa kohë që ka nisur ngjarja, që në gusht. Jam dhunuar dje rreth orës 10:00. Pashë makinën time në punën dhe biznesin tim. Mora telefonin dhe shkova tek puna, mora edhe një polic privat të cilit i thashë do bëj foto dhe më tha bëj. U futa brenda, bëra foto. 

I thashë tregtarit të shkarkonte mallin por nuk pranoi. I thashë punëtorit, vëllait të atij që më dhunoi, çfarë po bën, mos shit mallin e firmës sime, sepse nuk është malli jot. Vazhdoi punën, e shiti dhe makina u largua. Unë shkova në zyrë dhe u ula në tavolinë. Aty erdhi zotëria që më dhunoi. Është nipi i burrit.”

Sipas dëshmisë dhe pretendimeve të gruas, ata fillimisht kanë debatuar verbalisht dhe më pas Alfons Buzheri e ka dhunuar duke i shkaktuar plagë në trup.

Lavdie Buzheri: “Më kapi më mbërtheu dhe më kërkoi të dal jashtë. I thashë nuk po bëj asgjë të keqe, thjesht jam në punën time, në zyrën time. Filloi të më qëllojë, të më zhveshë rrogat, të mi grisë. Qëlloi ku të mundte me shqelma, me grushte. Në prezencë ishte edhe vëllai i tij, i cili bënte sehir sesi ai më qëllonte, më dhunonte. 

Më qëlloi sa më qëlloi, pastaj mora telefonin që të merrja policinë, por ma bëri copë-copë. Ai doli jashtë të fliste në telefon, ndërsa unë mora rrobat të shqyera, i vesha dhe dola jashtë. I foli policit të më mbyllte derën që të mos dilja jashtë. Më mbërtheu prapë, por arrita të ikja dhe dola tek dera. 

Pastaj së bashku me policin zunë derën, tentova të hap derën por nuk e hapën. Nga tronditja më ra të fikët, nuk e di çfarë ndodhi më pas. U zgjova pasi më hodhi ujë dhe e hapi derën. Siç isha në atë gjendje ngrihem dhe iki në shtëpi.”

Siç konfirmon edhe vetë Lavdie Buzheri, familja e saj është në konflikt me njerëzit e burrit për çështje pronësie.

Burimet thonë se ata kanë në total 27 urdhra mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, ndërsa konflikti mbetet pa zgjidhur.

Pasi është vënë në dijeni, policia e Gjirokastrës mësohet se ka shoqëruar 35-vjeçarin Alfons Buzheri, por ky i fundit është lënë i lirë disa orë më pas.

Policia ende nuk ka dhënë asnjë sqarim pse personi i akuzuar është lënë i lirë.

Alfons Buzheri rezulton një person me të shkuar kriminale. Ai është arrestuar në vitin 2015, rreth dy javë pas vrasjes së efektivit të Policisë Ibrahim Basha në Lazarat.

Pasi rezultonte person në kërkim i dënuar për çështje që lidhen me trafikun e drogës dhe ishte i dënuar në mungesë me 22 vite burgim për rrëmbim personi dhe torturë.

Por sipas burimeve, 35-vjeçari ka disa vite që ka dalë nga burgu.


EMISIONET