Historia mes Cardiff City dhe Nantes për fatet e kartonit të futbollistit të ndjerë, Emiliano Sala sa vjen e bëhet më e ndërlikuar. Pas vendimit të FIFA-s që detyron Cardiff për të paguar këstin e kartonit të lojtarit, i cili nuk u aktivizua për asnjë minutë me uellsianët, klubi i Championship është gati të kundërpërgjigjet.

Mediat britanike shkruajnë se Cardiff është gati të përdorë opsionin CAS për të kundërshtuar vendimin e FIFA-s. Sulmuesi argjentinas humbi jetën tragjikisht në janarin e këtij viti, kur avioni me të cilin udhëtonte u përplas me detin në Kanalin e Anglisë.

Marrëveshja mbi transferimin ishte vendosur në 17 milionë euro, sipas "L'Equipe", përveç një bonusi prej 2 milionë për lojtarin. Tarifa prej 17 milionë do të paguhej në tre këste. Lojtari nënshkroi kontratë dy vjeçare me 5 milionë euro në vit, me opsion për një tjetër ku Sala do të përfitonte 6 milionë euro.

Gjithsesi, klubi uellsian beson se marrëveshja nuk ishte mbyllur për shkak të kushteve të ndryshme kontraktuale të kërkuara nga Nantes dhe kjo duket të jetë arsyeja e fortë që i ka detyruar zyrtarët që ta dërgojnë çështjen në CAS.

/Ora News.tv/