Deputeti i Partisë Demokratike, ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është shuar në një aksident tragjik. Automjeti që ai drejtonte ka dalë nga rruga dhe deputeti demokrat 41 vjeç nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 21 20 minuta të mbrëmjës së të mërkurës në rrugën Tiranë-Elbasan, pranë zonës së Njohur si Lapidari në Qafë-Kërrabë. Në kilometrin e gjashtë të autostradës Tiranë-Elbasan, në një kthesë të saj për shkak të terrenit të lagësht, deputeti demokrat duket se ka humbur kontrollin e mjetit. Kanë qënë banorët e zonës që kanë parë se një makinë ka dalë nga rruga dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa janë përpjekur ti vijnë në ndihmë deputetit Sokol Olldashi. Policia dhe autoambulancat e zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje, por për shkak të pozicionit të makinës, terrenit të vështirë dhe shiut që binte vazhdimisht, trupi pajetë i deputetit demokrat është nxjerrë vetëm pas rreth dy orësh pasi ndodhi aksidenti. Burime të policisë bënë të ditur se automjeti ka pësuar disa rrotullime, madje identifikimi i viktimës është bërë nga dokumentat që mbante me vete. Në vendgjarje kanë mbërritur fillimisht deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Astrit Patozi, më pas ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kreu i kësaj partie, Sali Berisha, djali i tij, Shkëlzen Berisha e mjaft deputetë të tjerë të kësaj partie por edhe deputetë të PS, si Taulant Balla, Ilir Beqaj, Alfred Peza, por dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe kryetari i Kuvendit dhe kryetari i LSI, Ilir Meta dhe nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili. Edhe bashkëshortja e Sokol Olldashit, e tronditur nga lajmi i hidhur ka mbërritur në vendin ku ndodhi aksidenti e shoqëruar nga deputetja demokrate, Mesila Doda. Trupi pajetë i Olldashit është përcjellë për në institutin e mjekësisë Ligjore, aty ku kishte mbërritur fillimisht nëna e 41- vjeçarit por edhe deputetë të të gjitha forcave politike. Lotët dhe dhimbja pushtuan oborrin e morgut, aty ku familjarët, miqtë dhe kolegët ende nuk e besonin se jeta e tij ishte shuar. Rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm ekspertiza mjeko-ligjore ka përfunduar dhe trupi pajetë i 40 vjeçarit është përcjellë për tek banesa e tij Në rrugën e Elbasanit përballë ambasadës amerikanë dyert e mortit u hapën menjëhërë pas lajmit të hidhur e të rëndë. Familja e Sokol Olldashit ka pritur e përcjellë menjëherë pas ngjarjes të afërmit, miqtë dhe kolegët e deputetit demokrat. Në orën 11 00 në sallën e Kuvendit do të zhvillohen homazhe në nder te deputetit që u nda tragjikisht nga jeta, ndërsa në orën 14 00 dy fëmijet e tij, bashkëshortja, familjarët, të afërmit, kolegët e tij gazetarë e politikanë, miqtë e tij do ti japin lamturirën, për ta përcjellë në banesën e fundit deputetetin Sokol Olldashi. Ndërkohë ekspertët ndodhen në vendngjarje dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit të rëndë. Ekspertët zbardhin shkaqet: Makina e Olldashit rrëshqiti nga lagështira në rrugë Në kohën kur makina e Sokol Olldashit po hynte në kthesën e vdekjes, ai ka qënë duke folur në telefon me shoferin e tij. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se shoferi i tij ka qenë personi i fundit që ka kontaktuar ish-deputetin, ku fjalia e fundit që ka dëgjuar nga ai ka qenë që bëra aksident. Mësohet se shoferi ka qenë në shoqërinë e deputetit tjetër të PD-së, Igli Cara, i cili e priste Olldashin të kthehej në Tiranë, pasi kishin një çështje për të diskutuar. Më pas deputeti Cara ka lajmëruar sallën operative të policisë,ndërsa menjëherë është nisur për Krrabë, atje ku jeta e Sokolit mori fund. Pas kësaj në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat për disa orë punuan për nxjerrjen e trupit nga makina, pasi dyert ishin të bllokuara. Pas hetimeve paraprake të bëra natën e të mërkurës, ekspertët e policisë rrugore janë kthyer përsëri mëngjesin e të enjtes në vendin e aksidentit, ku kanë kryer ekspertizën e plotë dhe dinamikën e aksidentit. Nga hetimet e para mendohet se shkak i kësaj tragjedie të ketë qenë humbja e kontrollit të makinës nga ana e Sokoll Olldashit. Sipas ekspertëve telefonata,rruga me lagështirë dhe shpejtësia e madhe në kthesë kanë bërë që makina të dalë jashtë rrugë dhe të përmbyset. Ndërkohë ka dyshime që deputeti nuk e ka pasur vendosur rripin e sigurisë gjatë udhëtimit,çka ka bërë që dëmtimet në trupin e tij të jenë të shumta dhe vdekjeprurëse. Dëmtimet më të shumta sipas mjekësisë ligjore aii ka pasur në kokë. Ndërsa pritet që kjo ekspertizë e policisë rrugore ti delegohet Prokurorisë së Tiranës,ku sëbashku më raportin e mjekësisë ligjore do të arrihet në përfundimin e saktë të këtij aksidenti. Automjeti i dëmtuar i Olldashit ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme ku dhe po analizohet nga ana teknike. MB sqaron aksidentin ku humbi jetën deputeti Olldashi Ministria e Brendshme ka dalë në një komunikim zyrtar lidhur me aksidentine një ante më parë në Krrabë, ku humbi jetën në mënyrë tragjike deputeti demokrat, Sokol Olldashi. “Në datë 20.11.2013 në rrugën interurbane dytësore, Tiranë - Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol Olldashi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi ka qënë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan - Tiranë. Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme. Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë një mjet kishte dale nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanëmbërritur shërbimet Policisë Rrugore që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisësë Qarkut Tiranë si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranëështë caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij” thuhet në komunikatën e policisë.

/Ora News.tv/