Hoxha: KQZ bëri vetëgjyqësi me dekretin; Kodheli: Presim Kushtetuesen, por zgjedhjet duheshin bërë

Hoxha: KQZ bëri vetëgjyqësi me dekretin; Kodheli: Presim

Analisti, Artan Hoxha, thotë se KQZ bëri vetëgjyqësi me refuzimin  për të zbatuar dekretin e presidentit për shfuqizimin e datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Artan Hoxha: Vetëgjyqësi bëri KQZ që injoroi një ligj të botuar në Fletoren Zyrtare, dekret presidencial, ishte policia, gjithë strukturat e administrimit zgjedhor nën KQZ që bënë vetëgjyqësi. Të injorosh një akt normativ të botuar në Fletoren Zyrtare do të thotë vetëgjyqësi. Nuk e dimë çfarë mund të vendosë pas ca muajsh Gjykata Kushtetuese. Por është si të nxjerrë një akt normativ Ministrja dhe t'ja injorojë një pushtet tjetër. Mund të ndodhë kjo?

Ndërsa deputetja socialiste, Mimi Kodheli, e ftuar në RTV Ora, nuk preferoi të komentojë sesi ky akt që cilësohet antikushtetues nga mazhoranca përfundoi në Fletoren Zyrtare.

Deri në pritje të vendimit nga Kushtetuesja, Kodheli thotë se zgjedhjet duheshin bërë.

Mimi Kodheli: Nëse akti normativ është kushtetues duhet zbatuar, nëse nuk është kushtetues, ka Gjykatë Kushtetuese.

Beti Njuma: Kur nuk është kushtetues si e lejuat botimin në Fletoren Zyrtare?

Mimi Kodheli: Kjo nuk më takon mua se unë bëj deputetin në këtë vend, jo Ministrin.

Artan Hoxha: Ai është kushtetues deri në momentin që vendos Gjykata Kushtetuese e rrëzon apo jo.

Mimi Kodheli: Presim Gjykatën Kushtetuese ndërkohë që të japë përgjigje, por deri atëherë zgjedhjet duhet të ishin bërë. Nuk më pëlqen viktimizimi, nëse opozita e ka ndarë mendjen të viktimizohet nuk ka të për fituar dot as politikisht, as pushtet nesër. Dora jonë ka qenë e shtrirë për tu ulur dhe diskutuar. Hajde të ndryshojmë kodin zgjedhor.

EMISIONET