Ndërprerja e punimeve të rrugës Kardhiq-Delvinë është bërë në momentin  kur janë kryer 60 % e vlerës së punimeve dhe janë prokuruar rreth 54 mln euro. Ky segment i cilësuar një ndër 5 veprat kryesore infrastrukturore të qeverisë Rama parashikohej të përfundonte në 2021, por me një vendim të papritur gjithçka ka ndaluar. Si argument është dhënë rialokimi i fondeve, por ministrja Balluku ende nuk ka përcaktuar se si do të veprohet për vënien në funksion të aksit.

Në projektin për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë janë prokuruar 54 mln euro për tre segmente të cilat tashmë janë drejt fundit.

Por pavarësiht se janë realizuar mbi 60 % e volumit të punimeve ministrja Belinda Balluku me një vendim të papritur anuloi tenderin, duke e justifikuar me nevojën për rialokim të fondeve në projekte më emergjente.

Fondet për ndërtimin e kësaj rruge janë parashikuar në buxhetin e shtetit që në vitin 2018 dhe në total taksapaguesve shqiptarë ky segment pritet ti kushtojë rreth 70 mln euro nëse përfshijmë edhe Lotin 7, i cili parashikon ndërtimin e një tuneli.

Financimi ishte  parashikuar për tu lëvruar në tre vite, përkatësisht për periudhën 2019-2021. Fondi i planifikuar për vitin 2019 për kontratën e zbatimit është 560 milion lekë.

Por papritur me një shkresë zyrtare të datës 30.08.2019, i kërkohet ARRSH-së që për arsye të rialokimit të fondeve të vijohet me anulimin e procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtim rruga  Kardhiq-Delvinë Loti 7”dhe procedurës së supervizionit .

Por nuk dihet se si do të justifikohet fakti se paratë tashmë janë shpenzuar dhe rruga nuk dihet kur do të përfundojë.

Ndërtimi i tunelit padyshim do të mbetet një prioritet strategjik i qeverisë shqiptare edhe për faktin se ndërtimi i tij mundëson vënien në shfrytëzim të investimeve të bëra në 6 lotët e tjera të këtij aksi.

Por a u zbatua ligji në ndërprerjen e marrëveshjes?

Në nenin 24 të Ligjit të Prokurimeve Publike janë përcaktuar në mënyrë shteruese rastet kur Autoriteti Kontraktor mund të anullojë një procedurë prokurimi, të cilat janë

a) për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së  prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik;

b) nëse nuk është paraqitur asnjë ofertë brenda afateve kohore;

c) kur në fazën e parë të procedurës së kufizuar dhe me negocim me shpallje paraprake të njoftimit kualifikohen më pak se 2 kandidatë;

ç) nëse asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit;

d) nëse të gjitha ofertat e paraqitura përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktor, të parashikuar për një kontratë të caktuar;dh) kur Komisioni  i Prokurimit Publik vendos anulimin, sipas parashikimit të shkronjave “b” dhe “ç” të pikës 3 të nenit 64 të këtij ligji.

Pra siç shihet, në asnjë nga rastet e parashikuara në Ligjin e Prokurimeve nuk përfshihet rasti i përcjellë nga shkresa e MIE nr protokolli 7691, datë 30.08.2019 “Mbi zbatimin e buxhetit të investimeve të vitit 2019.

Transferimi i fondeve buxhetore, siç shprehet Ministrja në shkresë, nuk është nga rastet që Ligji për Prokurimet parashikon si mundësi anulimi të një procedure prokurimi.



/Ora News.tv/