Bashkia e Skraparit edhe një herë është mbuluar nga hijet e një skandali. Pas shkarkimit të masë të punonjësve, bashkia atje ka realizuar një tender për kufizues shpejtësie në rrugë. Por sipas partive opozitare, tenderi ka brenda abuzime. 

Hije skandali bien mbi Bashkinë e Skraparit, që pas 30 qershorit drejtohet nga socialisti, Adriatik Mema.

Pas shkarkimit të 130 punonjësve në bllok me arsyetimin se nuk kishte para në buxhet, kjo bashki ka vënë në dispozicion 2.5 milion lekë  për blerjen dhe vendosjen e “kurrizeve artificiale” për ngadalësim shpejtësie në rrugët e qytetit, ose të ashtuquajturit "policë të shtrirë".

Një tender që në objekt i diskutueshëm për një bashki të Vogël si Skrapari dhe aq më pak kur drejtuesit e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit deklaratat e para i bënë për pamundësi ekonomike dhe arkë bosh.

Sipas dokumentacionit zyrtar në Agjencinë e Prokurimeve Publike në tender kanë marrë pjesë katër subjekte dhe fitues është shpallur jo subjekti me ofertën më të ulët, por ai me ofertën më të lartë.

Një shoqëri me bazë në Vorë ka fituar këtë punë për bashkinë e Skraparit me vlerën 2.158.000 lekë.

Tre subjektet e tjera, janë përjashtuar me arsye të ndryshme nga e drejta e garës.

Këtu bie në sy një tjetër fakt i çuditshëm.  Një operator është përjashtuar nga gara me arsyen se ka dhënë ofertë shumë të ulët.

Ky tender është denoncuar edhe nga dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Skrapar.

Sipas saj në qytet janë vendosur 15 kurrize artificiale dhe me përllogaritje të përafërt, secili kushton afërsish 200 mijë lek.

Për LSI-në e Skraparit kjo vlerë është 10- fish më tepër se vlera reale e një kurrizi të tillë dhe ngre dyshime për abuzime me fondet nga bashkia e tashmë e drejtuar nga Socialistët.

/Ora News.tv/