“Hidhu nga ne”, rrëzimi i turpshëm i alibive të Ramës

“Hidhu nga ne”, rrëzimi i turpshëm i alibive të

Dëshmia para kamerës së fshehtë e Fredi Alizotit nuk është vetëm turpi i dyshes Rama- Xhafa, ai përbën njëkohësisht shkallmimin e imazhit të kupolës së polisisë, që është kapur në flagrancë duke prishur provat, po aq sa rrënimin përfundimtar të besueshmërisë tek prokuroria, që po shërben si letër higjenike e Rilindjes.

Të gjithë këta sëbashku kishin premtuar një laborator të famshëm ndërkombëtar për të vërtetuar tezën e tyre, se përgjimi i Babales me vëllain e ministrit të Brendshëm, ishte një manipulim. Por në fund të historisë, ata përfunduan tek një keqbërës lokal.

Videopërgjimi i shfaqur në “Opinion” (shiko linkun këtu poshtë), tregoi se edhe ky, Fredi Alizoti, paskësh qenë i manipuluar. Po t’i besosh dëshmisë që ai jep para kameras së fshehtë, pa e ditur se po regjistrohej, ai është kërcënuar, joshur, përpunuar nga vetë drejtori i policisë, Ardi Veliu. Një kqyrje e imtësishme e kësaj videoje, tregon disa të vërteta të frikshme.

Fakti që ai rrëfen se është marrë në makinën e shefit të uniformave blu, hedh poshtë versionin e prokurorisë se ai kishte deponuar vetë në policinë e Fierit, ngaqë PD-ja nuk e kishte paguar për punën.

Datat dhe afatet kohore që ai vendos, i zhvlerësojnë të gjitha telefonatat që ka bërë më pas, për të treguar, nën përgjim, se ai qe aktori që kishte luajtur zërin e vëllait të ministrit, Agron Xhafës.

Mënyra se si është takuar me prokurorin e çështjes, i çuar si pako postale nga kryepolici, e diskrediton edhe Genti Osmanin, emri i të cilit është lakuar shumë këto ditë.

Pra, duket qartë se dyshes Rama- Xhafa i është djegur mbrëmjen e së martës edhe alibia e alibisë së alibisë. Ata janë kapur me preshë në duar në një përçapje të pamohueshme manipulimi, jo vetëm të opinionit publik, por mbi të gjitha të drejtësisë së vendit.

Dhe këtë herë gjendja ngjan pa rrugëdalje. Nga njëra anë, deponimi para kamerës së fshehtë i të vetmit dëshmitar që u shërbente si mbështetje e tezës së tyre, e hedh poshtë versionin që kanë mbrojtur deri tani për videopërgjimin e Babales. Por, në anën tjetër, edhe po zgjodhën rrugën e mohimit, pra po pretenduan se Fredi Alizoti ka gënjyer në rrëfimin që ka bërë pa e ditur se po regjistrohej, se ai nuk është takuar kurrë në ato kushte me drejtorin e policisë, Ardi Veliun (siç ka pohuar ky i fundit), se ai nuk është përballur në ato kushte mungese lirie me prokurorin Osmani, ky është sërish një bumerang.

Sepse edhe nëse pretendojnë se Alizoti është një gënjeshtar, pra kollaj i manipulueshëm, kjo sërish u kthehet si baltë mbi fytyrë. Pasi pyetja shkatërruese që vjen pas është: Po pse nuk qenkësh gënjeshtar kur depononte atë që donit ju? Pse nuk qenka manipulator kur bënte telefonatat e përgjuara që ju i shfaqët si të vetmen provë?

Pra, çfarëdo versioni që të zgjedhi, propaganda e rilindjes dhe prokuroria që zbaton vijën e saj, kanë dalë të diskredituar nga kjo histori. Sepse ata i kanë besuar dhe kanë zbatuar metoda të sigurimit të shtetit për manipulimin e dëshmitarëve, duke qenë aq syqorrë dhe aq mbrapa kohe që mos kuptojnë se të tilla truke nuk funksionojnë në një shoqëri të hapur, me kamera të fshehta dhe me media të gjithfarëllojshme.  

Ajo që mbetet tani janë vetëm mashtrimet publike të Edi Ramës. Sepse për javë të tëra ai nuk e vërtetoi dot kurrë alibinë që ngriti vetëm disa orë pas përgjimit të Babales, se ai kishte provën shkencore të manipulimit. Teza e tij u testua në gjithë Europën, nga Italia në Britani dhe askush nuk mori përsipër ta vërtetojë. Në këmbim të kësaj, ai u mbështet tek Fredi Alizoti, për të thënë se PD-ja e kishte paguar për të bërë rolin e Agron Xhafës.  

Nuk ka gjë më tragjike dhe qesharake sesa ftesa që i bëhet Alizotit në video: “Hidhu nga ne”, pra bashkohu me rilindjen, me policinë që duam, me bashkëqeverisjen me qytetarët.

Por fatmirësisht dhe kjo alibi u rrëzua. Sepse kamera e fshehtë, e shfaqur këtë të martë, shpërfaqi përpara syve të publikut dy alternativa: ose në rastin më të keq, Fredi Alizoti, që më në fund “u hodh” nga ana e tyre, është një dëshmitar i rremë, ose në rastin më të mirë, ai është një gënjeshtar kronik dhe prandaj i padobishëm për atë që donte ta përdorte rilindja.

EMISIONET