“Hartuesit e kësaj paçavureje janë injorantë”, Jordan Daci tregon gafat e paketës ‘antiKÇK’

“Hartuesit e kësaj paçavureje janë injorantë”,

Juristi Jordan Daci i ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora tha se në “paketën antiKÇK” prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama ka një sërë gafash.

Daci tregon se kjo paketë i referohet drejtuesit të Prokurorisë dhe kryetarit të Gjykatës, ndërkohë që me ndryshimet e reja në kuadër të Reformës në Drejtësi, drejtuesi i Prokurorisë edhe kryetari i Gjykatës nuk kanë më asnjë kompetencë.

Pjesë nga intervista: 

Beti Njuma: A është kjo nismë 'antiKÇK' një marrje kompetencash për SPAK dhe BKH? Është një dublim i këtyre strukturave?

Jordan Daci: Nëse miratohet kjo paketë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut merri dhe hidhi në kosh të plehrave. Është një shmangie totale e garancive themelore kushtetuese, që i garantohen çdo individi. Është një paketë që bie ndesh me të  paktën 6 ligje ekzistuese.

Beti Njuma: Nuk i di kryeministri, njerëzit pranë tij që merren me Kushtetutën, që merren me ligjet që do të ketë të përplasjesh?

Jordan Daci: Hartuesit e kësaj paçavureje juridike, kam përshtypjen se përveçse janë injorantë dhe të painformuar për garancitë kushtetuese, janë edhe mbrapa në kohë. Ata kanë bërë gafa që nuk marrin parasysh edhe ndryshime në kuadër të reformës. Kjo është e gjitha gafë, por konkretisht gafë të tregon se nuk e di se për ça po shkruan.

Aty i referohet drejtuesit të Prokurorisë dhe kryetarit të Gjykatës. Ndërkohë që me ndryshimet e reja të reformës dhe konkretisht me ndryshimet e kodit të procedurës dhe me ligjin për Prokurorinë, drejtuesi i Prokurorisë nuk ka më asnjë kompetencë sot. Po ashtu edhe kryetari i Gjykatës nuk ka më asnjë kompetencë. Pra praktikisht ky ligj midis të tjerave, policit të lagjes i jep të drejtë që të ndalojë para se të dalësh nga shtëpia, të të lerë brenda në shtëpi, të të thotë duhet të ikësh nga kjo shtëpi. 

Nuk duhet të ikësh jashtë shtetit, të të marrë pasaportën, të sekuestrojë, të përgjojë, të marrë të dhënat tuaja telefonike në kohë reale. Praktikisht e gjithë paketa e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të Kushtetutës merr fund në mënyrë përfundimtare.

EMISIONET