Haradinaj: S’jam kundër kafes me Albinin, por nuk e kam në plan

Haradinaj: S’jam kundër kafes me Albinin, por nuk e kam në plan

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë ekskluzive për emisionin “360 Gradë”, me Artur Zhejin, në RTV Ora u shpreh se nuk është kundër pirjes së një kafeje me Albin Kurtin, por që momentalisht nuk e ka në plan.

Haradinaj u shpreh i bindur se nëse qeveria që do të vijë në pushtet punon kundër interesave të vendit do bëj çmos që ta pengoj.

Pjesë nga intervista: 

Ramush Haradinaj: Unë kam listuar plot terma të interesit nacional dhe kushdo që merr vendime të drejta në ato tema e ka përkrahjen time. Kushdo që sipas bindjes sonë, për ato tema merr vendime të gabuara ne jemi kundër. Jam opozitë në rast se institucionet e vendit vendosin kundër interesit të vendit në ato tema, por nëse vendosin pro, jam pro. Kur qeveria vendos në të kundër të interesit të vendit tim do bëj çmos ta pengoj. Kur qeveria vendos drejtë do t'ia aprovoj menjëherë. Njëjtë edhe me opozitën. Nuk jam unë partner me një parti opozitare vetëm se jemi në opozitë. Edhe partia në opozitë mundet të marrë vendime jo të drejta, jo të duhura në interes nacional. 

Artur Zheji: A keni pirë kafe me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin  dhe do pini kafe?

Ramush Haradinaj: Nuk kam pirë pas zgjedhjeve. Në fakt me Vjosën nuk kam pasur shumë komunikim. Në raste të caktuar po, por jo shumë. Albinin e njoh nga koha e opozit bërjes. Nuk jam kundër të pi kafe, por nuk e kam në plan.

Artur Zheji: Po pret numërimin final të votave?

Ramush Haradinaj: Jo vetëm ajo, por nëse ka një temë të interesit nacional dhe e ndihmoj Kosovën, jam pro. 

Artur Zheji: Pra kafe për dëshirë? Për qejf? Jo?

Ramush Haradinaj: Jo nuk shkoj te ajo rrugë.

Artur Zheji: Do dorëzoni detyrën apo jo?

Ramush Haradianj: Po kurdo që është afati kohor.

Artur Zheji: Dorëzimi i tyre do të jetë pa kafe? Do jetë vetëm me ujë. 

Ramush Haradinaj: Me siguri me kafe dhe me atë që i takon. Por e kam fjalën që nuk do të kërkoj marrëdhënie me individë, sa do kërkoj marrëdhënie për temat. Në ato tema që janë në interes të Kosovës, kushdo që i ndihmon, unë jam mik me të. 



EMISIONET