Negociatat, Holanda i mbyll "derën" Shqipërisë për në BE, i thotë "PO" Maqedonisë së Veriut

Parlamenti holandez është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa i ka dhënë një dritë jeshile Maqedonisë së Veriut.

100 deputetë nga 150 në total kanë mbështetur një mocion nga ligjvënësi Anne Mulder, i cili vizitoi më herët Tiranën.

Ky i fundit në dokument theksonte se pas debateve të zhvilluara në Komisionin për Punë të Jashtme, konkludohet se Shqipëria nuk ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se nuk përmbush ende kriteret e vendosura nga partnerët ndërkombëtarë. Si rrjedhojë qeverisë holandeze i rekomandohet të refuzojë propozimin e KE për të hapur negociatat me Shqipërinë.

Një mocion i tillë  përkeqëson edhe më tej pozitat e vendit tonë në përpjekje për të bindur vendet skeptike mbi çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Më herët Holanda kërkoi nga KE që të rishikohet lëvizja e lirë për shqiptarët duke dhënë si argument rritjen e shkallës së kriminalitetit.

Në këto kushte ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë zyrtarisht qeveria e Holandës për mocionin, por votimi me 2/3 në Parlament është një zë i fortë për tu injoruar.

Hapja e negociatave kërkon votim unanim të shteteve anëtarë në Këshillin e BE dhe mjafton një votë kundër për të prishur konsensusin.


EMISIONET