Hapet sheshi i "Notre-Dame"

Hapet sheshi i "Notre-Dame"

Publiku francez ka mundur të vizitojnë për herë të parë pas 14 muajve sheshin përpara katedrales "Notrë-Dam" në Paris. Për arsye sigurie, sheshi qëndronte i bllokuar pasi ishte veshur me një shtresë toksike nga zjarri i vitit të kaluar.

Ekipet që po restaurojnë katedralen "Notrë-Dam" të Parisit kanë shpresë se do e përfundojnë rindërtimin e veprës monumentale brenda 5 viteve.

Sheshi përpara kishës kryesore të qytetit u çlirua të dielën nga pengesat e metalta më shumë se një vit past zjarrit aksidental që do e shkrumbonte pjesërisht ndërtesën.

Hapësira para strukturës 850-vjeçare ishte ndotur nga mbetjet toksike si pasojë e flakëve.

Rreth 300 tonë plumb që fortifikonin çatinë e katedrales u shkrinë pasditen e 15 prillit të vitit të kaluar duke përhapur re të përqendruara grimcash në zonat përqark.

Nga frika e helmimit u pezulluan për disa javë edhe institucionet arsimore afër ndërtesës.

Fasada dhe hyrjet e harkuara të katedrales mbeten të bllokuara për arsye sigurie.

Gjenerali i ushtrisë, Zhon-Lui Zhorzhëlë, është ngarkuar me programin e restaurimit dhe thotë se pandemia e koronavirusit i ka vonuar disi përpjekjet, por nuk e ka devijuar planin.

"E ka ngadalësuar pak punën, pa dyshim, por do rikuperojmë. Do e bëjmë pa nxitim, me maturi sepse kemi objektiv prillin e vitit 2024 për rihapjen e katedrales."

Për francezët, "Notrë-Dam" konsiderohet një simbol edhe më i fortë sesa Kulla Efel.

"Jam e emocionuar sepse kemi shumë kohë që e presim të ndodhë, është një vend legjendar por edhe shenjë e mirë shprese."

Ekipet restauruese ende nuk kanë hequr strukturat e metalit që vitin e kaluar po përdoreshin për restaurimin e çatisë së katedrales.

Ky proces pritet të zgjatë disa muaj ndërsa deri tani për rinovimin e kishës janë dhuruar rreth 1 miliard euro.

EMISIONET