Hapen 2 javë para lokalet dhe restorantet, Italia zgjeron masat për hapjen e vendit

Hapen 2 javë para lokalet dhe restorantet, Italia zgjeron masat për

Në Itali do të hapen dy javë para parashikimit lokalet, kafenetë e restorantet, si dhe mjaft aktivitetet tregtare të shitjes me pakicë.

Qeveria italiane ka vendosur të paraprijë datat e hapjes së aktiviteteve tregtare e të atyre të shitjes me pakicë, të përcaktuara paraprakisht për t'u hapur në muajin qershor.

Pas disa orësh konsultime përfaqësuesit e qeverisjes lokale të rajoneve italiane  kanë arritur marrëveshjen me qeverinë qendror që lokalet, restorantet, parukeritë dhe qendrat estetike të hapen më datë 18 maj. Në këtë datë do të hapin dhe pothuajse të gjitha aktivitetet e shitjes me pakicë. Ndërsa duhet të presin ende hapja e palestrave dhe pishinave.

Pas konsultimeve me ministrinë e Shëndetësisë Roberto Speranza dhe me ministrin për Punët rajonale Francesco Boccia, qeverisja lokale ka arritur të fitoj më shumë autonomi në menaxhimin e fazës së dytë të pandemisë në përgjegjësinë e tyre të plotë.

Por në këtë marrëveshje përcaktohet se qeveria qendrore  mund të ndërhyjë në varësi të ecurisë që kurba e pandemisë do të ketë në territorin e çdo rajoni.

Në rast se do të verifikohen vatra të reja infektimi do të aktivizohet menjëherë sistemi i izolimit  të tyre në zona të kuqe.

Në ditët në vijim komiteti tekniko-shkencor do të hartoj rregullat e përgjithshme të distancimit social e të protokollit të punës për këto sektorë të rinj të ekonomisë që po dalin nga regjimi i lockdoën në këtë moment të ri të fazës së dytë të bashkëjetesës me virusin.

Ka një kërshëri të madhe publike e mediatike sesi komiteti tekniko-shkencor e qeveria Conte do të organizojë protokollin e punës në lokalet e restorante që tashmë prej dy muaj e gjysmë janë të mbyllura.

Ndërkohë të dhënat e infektimit në Itali vazhdojnë të jenë drejt përmirësimit.

Për herë të parë numri i pacientëve që po kurohen në repartet e terapisë intensive është nën kuotën e 1000 personave dhe një ditë më parë numri i tyre ishte 999 pacientë.

Në disa rajone italiane si në Sardenja, Umbria, Vlle d'Aosta, Bolzano, Basilicata e Molise nuk janë regjistruar viktima e për të tretën ditë rresht. Numri i viktimave në nivel kombëtar ka regjistruar shifrën nën 200 në 24 orë.

EMISIONET